Nga nesër lehtësohen masat në “zonat e gjelbërta”, Manastirliu sqaron qytetarët

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi se nga dita e hënë, datë 27 prill, do të fillojnë lehtësimet e posaçme për lëvizjen në “zonat e gjelbërta”.

“Zona të gjelbërta”, janë klasifikuar ato qarqe apo bashki të cilat rezultojnë deri sot, me risk të ulët të transmetimit të infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

Sipas Manastirliut, “zonat e gjelbërta” janë: “Qarku Dibër;
Qarku Gjirokastër; Zona e përbashkët e bashkive Sarandë, Konispol, Himarë, Delvinë dhe Finiq; Zona e përbashkët e bashkive Prrenjas, Pogradec dhe Librazhd… si dhe Bashkia Divjakë”.

“Në ‘zonat e gjelbërta’, lëvizja e pensionistëve do të jetë nga 6:00- 08:30 të mëngjesit. Qytetarët e tjerë do të lëvizin nga ora 09:30 deri 17:30, të shoqëruar jo më shumë se me një person.

Përjashtim do të bëjnë qytetarët që kanë autorizim pune, të cilët nuk kufizohen nga oraret e sipërpërmendura.

Në ‘zonat e gjelbërta’ parqet do të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe për 14 ditë dhe nuk do të lejohet grumbullimi dhe qëndrimi i më shumë se dy personave bashkë në hapësirat publike.

Sa i takon mjeteve private të transportit ato do të lejohen të qarkullojnë pa autorizim vetëm brenda Qarkut ose Bashkive përkatëse nga ora 09:30 deri 17:30, vetëm me një pasagjer.

Është e rëndësishme të theksohet se nuk do të lejohet lëvizja me mjet privat ose si pasagjer i pensionistëve, përveç rasteve me autorizim për arsye shëndetësore.

Përtej këtij orari mund të qarkullojnë vetëm mjetet që kanë autorizimin përkatës nga e-Albania.

Pavarësisht se ka ‘zona të gjelbërta’, normaliteti i ri i bashkëjetesës me virusin, do vijojë të kërkojë lëvizje të kufizuara, vetëm për arsye thelbësore, duke ruajtur në çdo rast distancimin fizik dhe respektimin me rigorozitet të masave të sigurisë në punë dhe në komunitet.

Situata është dinamike dhe si e tillë do të vlerësohet hap pas hapi.

Me kujdes dhe përgjegjësi maksimale, për mbrojtjen së pari dhe mbi të gjitha, të jetës dhe shëndetit të qytetarëve!”– u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.

🔴🟢 MINISTRIA E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALEMinistrja Ogerta Manastirliu për lehtësimin e masave duke filluar nga dita e hënë, 27 Prill, për biznesin dhe Zonat e Gjelbërta

Publiée par Edi Rama sur Dimanche 26 avril 2020