Mediat lokalë në Ravena, të Italisë, i kanë kushtuar disa artikull shqiptarit Arijon Abdyli.Gjesti human i tij nuk ka kaluar pa u përshëndetur dhe vënë re në vendin fqinj, ku 48-vjeçari jeton prej dy dekadash.
Ai, gjatë muajve të ftohet të dimrit e ka kthyer shtëpinë e tij në një strehim për personat e pastrehë.
Duke folur për të përditshmen “Corriere di Romagna”, Arijoni bën me dije iniciativën, lindur teksa pinte një çaj të ngrohtë me të birin 11 vjeçar, ndërsa Ravena, dhe e gjithë Italia ishin pushtuar nga dëbora, “Mendova për ata që me gjithë të ftohtin e madh, s’kishin një vend ku të shkonin e ndjeva nevojën për të bërë diçka”, – ka thënë ai për gazetën italiane.
Shqiptari, ka treguar se si ai ka shkuar dhe ka trokitur në shumë dyer, për të shprehur gatishmërinë e tij dhe pikërisht të enjten një nga kishat e qytetit e kontaktoi për t’i vënë në dijeni se Livia, dikur kujdestare për të moshuarit, kish humbur punën pasi ish prekur nga një bronshit, e kishte ngelur pa një strehë mbi kokë.
Pa u menduar dy herë shqiptari e mori në shtëpi, duke i siguruar strehë, ushqim e mjekim, e tashmë po interesohet për sistemin e saj në një punë të re.
Një ndihmë e pakushtëzuar, shkruan “Corriere di Romagna”, duke cituar më tej edhe deklaratën e 48 vjeçarit shqiptar: “Është kjo një mënyrë për të dëshmuar se edhe individualisht mund të bëjmë të mira ndaj të tjerëve. Një hap i vogël, i një personi të vetëm, e dëshiroj të jetë edhe një përgjigje ndaj terrorizmit mediatik kundër të huajve”, – u shpreh Arijon Abdyli. Ndërsa më tej lka vijuar duke than se: “Nuk besoj se është e drejtë të diskutohet, si shpesh ndodh, se kush duhet të ndihmohet i pari, e kush më pas, mbi të gjitha ky diskutim është i kotë, kur gjendesh përballë personave në vështirësi”, -tha ai.
Por nuk është hera e parë që Arijon Abdyli, ndërmerr iniciativa që përfshijnë shtresat në nevojë, falë edhe angazhimit të tij prej kohësh në shoqërinë civile në Romagna, Itali, si kryetar e anëtar i Shoqatës “Nenë Tereza”, por edhe si një prej koordinatorëve të “Ravenna Solidale”, një grup shoqatash që ndër vite kanë ndërmarrë iniciativa të shumta për të huajt në rajonin e Emilia Romanjës e më gjerë në mbarë Italinë. TIRANA TODAY