Në vendin tonë është arritur maksimumi i përhapjes së infeksionit. Këtë e ka konfirmuar mjeku imunolog, Genc Sulçebe, i cili tha në ‘Dita Jonë’, në A2, se me gjasë kemi arritur në majën e kurbës. Por ai nënvizoi faktin se pavarësisht se jemi në majë të kurbës, jemi ende larg imunitetit të tufës.
“Kemi një nivel mjaft të lartë të infeksionit. Mendoj se kemi arritur në majën e kurbës, por se sa kjo do të vazhdojë, nuk mund të themi. Jemi larg imunitetit të tufës, jemi në gjysmë të rrugës”, u shpreh Sulçebe.
Imunologu thotë se koronavirusi ka pësuar mutacion, duke bërë që të transmetohet më lehtë, por fatmirësisht nuk është rritur graviteti i sëmundjes. Sipas tij, vaksinimi do të shuajë këtë virus, për t’iu rikthyer normalitetit.
“Mendohet se këto mutacione nuk do të ndikojnë në efektshmërinë e vaksinës. Vaksinimi është drita në fund të tunelit”.
Duke u mbështetur në faktin se vaksinat do fillojnë të bëhen në fillim të 2021, ai theksoi se në Shqipëri situata do të jetë shumë më e qetë verën e ardhshme.
“Unë mendoj se nëse ne do të fillojmë vaksinimin në fillimin në vitit 2021, në gjysmën e parë të vitit që vjen, ne do të kemi një rënie të theksuar të infeksionit”.