Në një konferencë të jashtëzakonshme që po mban sot në Presidencë, Meta është pyetur nga mediat edhe për pasardhësin e tij. Meta tha se ky institucion ka qenë kështjellë e rrethuar nga pjellat më të pabesa të këtij vendi.
A ndjeni një merak apo shqetësim që edhe këtë institucion që ju e keni thënë shpesh se është kështjella e vetme e pavarur, do e ketë mazhoranca?
“Unë i mbaj premtimet. Deri në 24 korrik, ky institucion do jetë një kështjellë që ka qenë kështjellë e rrethuar, ka qenë nga pjellat më të pabesa të këtij vendi. Por në momentet më kritike të këtij vendi, i është bërë thirrje popullit dhe ata janë tërhequr përkohësisht nga vendimet e tyre. Unë nuk mendoj se jam në gjendje të bëj çdo gjë, nuk kam aftësi çudibërëse. Përderisa ata ishin të vendosur, të gjithë ata aktorë që unë i kam përmendur t’ja jepnin të gjitha pushtetet një qeverie gangstere, kam qenë i qartë që në 26 prill se çfarë do ndodhte me këtë institucion. Do thoni ju; pse nuk je larguar që në atë moment? Se unë kam bërë një betim mbi Kushtetutën.
Edhe afati kushtetues është pjesë e këtij betimi, për mua me rëndësi të kryej me përgjegjshmëri maksimale patriotizëm këtë detyrë deri në 24 korrik. Pastaj përgjegjësinë për gjithçka sigurisht do e ketë zoti apo zonja Presidente e ardhshme, që i urojmë suksese. Unë do kem përgjegjësi të tjera në raport me qytetarët, në raport me opinionin publik. Do jem një ushtar i paparë i mbrojtjes së vlerave të Republikës, si e kam treguar dhe në këtë detyrë”.
Meta ripërsëriti sot akuzat ndaj disa përfaqësuesve të opozitës, të cilët sipas tij, kanë bërë krime që bëhen një herë në 100 vite, duke iu referuar lënies së mandateve apo edhe bojkotit të zgjedhjeve.
“Nuk kam asnjë këshillë për opozitën, se ka bërë gabime fatale. Pjesa kryesore e saj me ndërgjegje të plotë, një pjesë tjetër aq e pati thellësinë e gjykimit si ishte djegia e mandateve, bojkotoi i zgjedhjeve, e bojkoti i Reformës në Drejtësi. Këto nuk janë gabime, por krime që nuk bëhen një herë në katër vjet, por një herë në 100 vjet. Nuk kam asnjë kuriozitet për procesin e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm”, tha Meta.