Zbardhet skema e mashtrimit të biznesmenit nigerian Emmanuel Emereibenu i njohur edhe me emrin Donaldi Fonkem që dyshohet se ka grabitur deri në 4 milion euro përmes krimit kibernetik, duke ndryshuar emaliet e biznesve të ndryshme kur depozitonin në bankë. Fatbardh Danja, një nga të arrestuarit në lidhje me skemën e mashtrimit të zbuluar në Tiranë pak ditë më parë, mësohet se i ka treguar hetuesve si është njohur me biznesmenin nigerian Emmanuel Emereibenu i njohur edhe me emrin Donaldi Fonkem.
Sipas hetimeve thuhet se Danja ka treguar se është njohur me Fonkem përmes një personi tjetër me emrin Abaz, dhe më pas është punësuar prej tij si përkthyes, punë të cilën thotë se e ka pranuar prej nevojës së madhe ekonomike. Ai ka deklaruar se ka punuar për rreth një vit në këtë detyrë dhe pagesat i ka marrë rregullisht, një pagë mujore prej 300 mijë lekësh të vjetra pa përfshirë siguracionet. Më pas biznesmeni nigerian e ka angazhuar edhe me pjesën administrative të bizneseve të tij duke e siguruar se ato ishin të ligjshme.
Ndërsa i prangosuri tjetër, Xhentil Kupe, i ka thënë hetuesve se e ka njohur biznesmenin nigerian përmes motrës së këtij të fundit, Evelina, me të cilën ishte fqinj. Kupe është shprehur se pasi janë takuar disa herë, ai i ka kërkuar që të hapë një nipt në emrin tij, pasi ai vetë nuk mundej sepse nuk kishte leje qëndrimi në Shqipëri. Kupe është shprehur se pasi ka marrë garanci prej tij se nuk kishte probleme ligjore ka pranuar ta ndihmojë. “Në llogarinë e hapur për biznesin e shtetasit nigerian ka ardhur një shumë parash nga Polonia me vlerë 300 mijë euro. Pasi e pyeta për këtë fakt, Donaldi më ka thënë se nuk duhet të shqetësosha pasi çdo veprim që kryhej përmes bankës ishte i ligjshëm”, mësohet të ketë dëshmuar Kupe. Në dosje thuhet se me datë 18 shkurt të këtij viti Donald Fonkem ka dalë nga banesa dhe rrugës ka hedhur në kosh disa letra dhe karta sim të kompanive të ndryshme celulare. Këto karta janë marrë nga njësia e vëzhgimit ku janë gjetur disa pasworde të ndryshme dhe fatura depozite
Sipas hetimeve, grupi i mashtruesve ndërhynte në email në momentin që do bëhej pagesa, duke ndërruar të dhënat e llogarive. Ata kanë arritur të mashtrojnë kompani nga 9 shtete të botës, duke nisur nga SHBA, Anglia, Lituania, Turqia e deri në Filipine, duke shkaktuar një dëm rreth 4 milionë euro në 2 vite.
Si nisi hetimi
Prokuroria e Tiranës ka bashkuar dy procedime, njëri i 24 dhjetorit 2020 dhe tjetri i 14 korrikut 2021, pasi kishin të bënin me të njëjtin fakt dhe me të njëjtët persona të dyshuar. Mësohet se ka qenë një përfaqësues i një kompanie ndërkombëtare që i është drejtuar në banke në Shqipëri duke theksuar se dikush po tenton të ndërhyjë në të dhënat e tij, duke mashtruar partnerët e tij të biznesit, përmes një llogarie të hapur në të njëjtën bankë me të.
Kështu, sipas hetimeve, nga një bankë e nivelit të dytë është bërë denoncimi se nga një adresë e-maili nga z. Holger Schauenburg, si përfaqësues i kompanisë ndërkombëtare Bornemann Far East LTD u është bërë me dije se dikush që po tentojë të mashtrojë partnerët e tyre të biznesit përmes një llogarie të çelur në këtë bankë në Shqipëri. Llogaria ishte në emrin e biznesit “Connecta Intercontinental shpk”, me pronar dhe administrator shtetasin nigerian Ugochukwu Emmanuel Emereibenu. Ky subjekt e ka çelur këtë llogari në datën 7 dhjetor 2020. Ky shtetas ka çelur llogari edhe për kompaninë ËorldËide Go LTD ku është edhe pronar edhe administrator.
Nga momenti i çeljes së llogarive e deri në ditën e dërgimit të informacionit nuk ka pasur asnjë pagesë në mbërritje për asnjë nga llogaritë e bizneseve të tij, por aktiviteti i tyre në Shqipëri është shumë i dyshimtë dhe nga të dhënat që janë analizuar dyshohet se këto llogari përdoreshin për të përfituar pagesa ndërkombëtare nëpërmjet tipologjisë “Phishing”. ( “Phishing” është një lloj sulmi inxhinierik social që përdoret shpesh për të vjedhur të dhënat e përdoruesit, duke përfshirë kredencialet e hyrjes dhe numrat e kartave të kreditit. “Phishin” ndodh kur një sulmues, duke u maskuar si një entitet i besuar, mashtron një viktimë për të hapur një e-mail, mesazh të çastit ose mesazh me tekst.)
Mësohet se, nigeriani kishte leje qëndrimi për të huaj nga 25 shtatori 2019 deri më 25 shtator 2020. Më 13 gusht 2020 ka themeluar kompaninë World Wide Go LTD me qendër në Durrës, me objekt “Furnizime të përgjithshme”, import-eksport i mallrave ku është edhe ortaku i vetëm. Gjithashtu ai ka regjistruar më 16 shtator subjektin “Connecta Intercontinental” me adresë rruga “Kongresi i Lushnjës”, me aktivitet “menaxhim i sportit”. 39-vjeçari nigerian, i pajisur me pasaportë nigeriane deri në 23 prill 2024 kishte hyrë në Shqipëri nga Rinasi, ku kishte ardhur nga Stambolli dhe është kthyer sërish më 24 shkurt 2020 për në Stamboll dhe nuk ka më hyrje, ndërkohë që firmosja për hapjen e llogarisë në bankë është bërë më 7 tetor 2020. Ai kishte deklaruar një adresë në Tiranë, në rrugën “5 Maji”. Ky shtetas është i vetmi me këto gjeneraliteti që ka hyrë dhe ka dalë nga Republika e Shqipërisë.
Por më pas, hetimet kanë konstatuar se, personi i paraqitur në bankë si pronar dhe administrator i dy kompanive nuk ishte i njëjti person me personin e verifikuar dhe që ishte personi i vetëm, i cili rezulton që ka hyrë dhe ka dalë nga Shqipëria. Shtetasi nigerian Ugochukwu Emmanuel Emereibenu, 32 vjeç, me pasaportë me datë skadence 16 mars 2025 dhe me pasaportë të mëparshme, të njëjtë me shtetasin tjetër nigerian, me emër, mbiemër dhe datëlindje të njëjtë, dyshohet se ka falsifikuar pasaportën ose ka përdorur pasaportën e një shtetasi tjetër me qëllim tërheqjen e shumave nga banka, të përfituara nëpërmjet mashtrimit kompjuterit.
Gjithashtu në materialet e paraqitura nga banka, është edhe kontrata e çeljes së llogarisë e kompanisë “LekliFarm Global” Sh.p.k me administrator Fatbardh Danja, 50 vjeç, çelur më 24 korrik 2020, ndërkohë që kompania është regjistruar më 9 korrik 2020 në QKB. Numri i vendosur nga kjo kompani në kontratën e çeljes së llogarisë bankarë është i njëjtë me numrin e kompanive të nigerianit.
Po ashtu edhe nga Barclay Bank në Londër është marrë një kërkesë standarde për kthim të një pagese në shumën 8746.12 USD në favor të subjektit “LekliFarm Global” shpk, ku pasi janë kërkuar detaje për reklamimin e pagesës, ka ardhur si rast i dyshimtë për mashtrim.
Fondet, shtetasi Fatbardh Danja, si pronar i Lekli Farm Global shpk, ka arritur t’i transferojë nëpërmjet platformës online në një llogari të një banke jashtë territorit të RSH. Sipas të dhënave të administruara gjatë hapjes së llogarisë bankare të LekliFarm Global shpk është konstatuar se pronari i saj ka qenë i shoqëruar nga një person me ngjyrë që me shumë gjasa të ishte shtetas afrikan.
Prokuroria kishte dyshime se këta shtetas kanë hapur kompani të cilat dyshohet se janë fiktive dhe përdoren për qëllim tërheqjen e fondeve nga bizneset e ligjshme dhe më pas moskthimin e këtyre fondeve. Gjithashtu nga veprimet e verifikimit në terren është konstatuar se shtetasi Ugochukëu Emmanuel Emereibenu ka shkuar në disa banka të nivelit të dytë për të kryer veprime bankare.
Sipas hetimeve, rezultonte se Fatbardh Danja kishte kontakte me një shtetas që quhet Donald dhe që nga verifikimi rezultoi se ishte shtetasi Ugochukwu Emmanuel Emereibenu që lëvizte me mjetin me targa AA 263 UB. “Dyshohet se shtetasi Ugochukwu Emmanuel Emereibenu është i njëjti person me shtetasin Donald Fonkem Anu, i cili duhet të jetë dhe emri i tij i vërtetë”, thuhet në materialet hetimore./Tirana Today