308 mijë qytetarë në 5 bashki të vendit do t’i drejtohen kutive të votimit të dielën e 9 nëntorit për kryetarët e ri të bashkive.
Në kutitë e votimit do të shkojnë qytetarët e Vlorës, Beratit, Tepelenës, Cërrikut dhe Matit. Fushata zgjedhore sipas përcaktimeve të KQZ zgjati vetëm një javë nga 1 nëntori deri në 7 nëntor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë tashmë materialet zgjedhore. Kutitë e votimit janë shpërndarë përgjatë kësaj të shtunë në KZAZ-të e ngritura në bashkitë e vendit.
Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 të mëngjesit e do të mbyllen në orën 18:00.
Partia Demokratike dhe opozita do të mbështesin kandidatët të pavarur, që kanë depozituar pranë institucionit të zgjedhjevve dokumentacionin e regjistrimit bashkë me firmat që i nevojiten për të qënë pjesë e procesit, ndërsa PS ka shpallur kandidatët e saj disa javë më parë, të cilët janë propozuar nga kryeministri Rama.
Gjithsej janë 13 kandidatë që do të garojnë në 5 bashki.
Në Vlorë, Brunilda Mersini e PS e cila la mandatin e deputetes për kandidatimin si kryebashkiake, do të garojë përballë kandidatit të pavarur të mbëshetur nga opozita, Dionis Sota, teksa në garë do të jetë edhe Gjergj Nika, që ka shpallur kandidaturën e tij të pavarur.
Në Berat, opozita do të mbështesë kandidatin e pavarur Pavlo Shkarpa, ndërsa PS ka propozuar kandidatin Ervin Ceca.
Në Cërrik, Florenc Doka i PS do të kandidojë përballë kandidatit të pavaruri Amarildo Hoxha që do të marrë edhe mbështetjen e opozitës.
Po në këtë bashki do të kandidojë nën logon e Partisë “Lëvizja Shqipëria Bëhet” edhe Eligert Hima. Në bashkinë e Matit, PS ka propozuar kandidatin Altin Bojni, ndërsa një tjetër socialiste ka sfiduar propozimin e Ramës duke shpallur kandidaturën e pavarur.
Kryetarja e Gruas së PS, Suzana Pasha do të garojë jo vetëm kundër rivalit politik por më së shumti, një garë brenda llojit kundër kandidatit socialist Alin Bojni.
Ndërkohë në këtë bashki, opozita do të mbështesë kandidaturën e pavarur të Eduart Brahilikës.
Në Tepelenë, PS ka propozuar ish drejtuesin e Gardës së Republikës, Gramoz Sako, ndërsa opozita do të mbështesë të pavarurin Gabriel Guma.
Ndërkohë zgjedhjet në Tiranë, janë anuluar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuesja pranoi kërkesën e Erion Veliajt për të shpallur të pavlefshme vakancën e shpallur nga këshilli ministrave gjithashtu rrëzoi dhe dekretin e presidentit të republikës, Bajram Begaj për zgjedhjet e 9 nëntorit në bashkimë të madhe në vend.
Erion Veliaj që prej 10 shkurtit është i arrestuar dhe mbahet nën masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ në paraburgimin e Durrësit.














