Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë është shfaqur e shqetësuar në lidhje me zërat se mund të ketë një marrëveshje pas krahëve mes politikanëve për të ‘vrarë’ Reformën në Drejtësi.
Përmes një postimi në Twitter, Kim tha se pavarësisht se reforma mund të jenë e ngadaltë, e dhimbshme dhe imperfekte, sipas saj ajo është e domosdoshme.
“Uroj që zërat për një marrëveshje të fshehtë për të vrarë Reformën në Drejtësi në Shqipëri, të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe imperfekte, por është e nevojshme për të bërë progres dhe për të ecur përpara”, shkruan ajo në postimin e saj.
Pas këtij postimi, ka ardhur edhe një reagim nga kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë ka komentuar në postimin e saj, duke treguar se mbështet shqetësimin e të parës së diplomacisë amerikane.
“Jam dakord”, shkruan Rama në komentin e tij, duke i bashkangjitur edhe një foto me një shprehje të shkrimtarit William Shakespeare: “Ferri është bosh dhe gjithë djajtë janë këtu”.