Analisti i njohur Fatos Lubonja ka komentuar 2 nga çështjet më të përfolura kohët e fundit në vendin tonë, trazirat në Bashkinë e Shkodrës dhe incidentin në Porto Palermo.
I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, Lubonja bën fajtor kryeministrin Rama për të dyja këto ngjarje, teksa u shpreh se ai është më i rrezikshëm se Mihal Kokëdhima.
“Nëse ti qenke kaq i ndjeshëm ndaj njerëzve të dhunës, padrejtësive, siç ishte ai që hipi mbi makinë, se ishte i sëmurë psiqik, pse nuk tregohesh i tillë ndaj atij që ke vënë në Shkodër për kryetar bashkie. Është njëlloj siç fliste për Tom Doshin, me të cilin po qeveris, edhe pse është një ndër ata që është ndaluar nga SHBA. Edhe me këtë ai tregon standarde të dyfishta, që është skandal. Kjo tregon se shteti i së drejtës as nëpër ëndërr nuk i shkon këtij”, tha analisti.
Ndërsa sa i përket situatës në Shkodër, Lubonja tha se gjithçka po bëhet që qyteti verior të bjerë në duart e “të fortëve”, siç është Tom Doshi.
“Parashikimi im është që duke lexuar veprimtarinë e qeverisë me Ramën në krye do të ketë një rritje të formave autoritare të paligjshme, jashtë institucionale, për të kontrolluar dhe mbajtur pushtetin. Që do të thotë s’ka rëndësi në kemi apo jo kryetarë bashkie, ç’rëndësi ka, ne jemi, vendosim nënkryetarin që kontrollon. Të tjerët ca me trembje, ca me para do nënshtrohen dhe do vazhdojnë të kontrollojnë dhe Shkodrën me njerëzit e Tom Doshit, si Valdrini, që u vu nga Rama më herët, në kohën kur ishte në konkurrencë me Keti Bazhdarin, si njeri që siguronte votën. Dihet, Toma është i forti i Shkodrës. Dikur e luanin këtë rol sekretarët e partisë, jemi kthyer në një sistem ku demokraci nuk ka”, deklaroi Lubonja.
I pyetur për menyrën se si lidhen zhvillimet, shembja e restorantit me Shkodrën, Lubonja dha këtë përgjigje:
“Të dyja rastet kanë të përbashkët atë që tregojnë se çfarë respekti kanë për shtetin e së drejtës këta që kemi në pushtet dhe që thonë do bëjmë dhe Reformë në Drejtësi. Duket sikur Kokëdhima shkeli ligjin. Sot pamë një matrapik që i shkatërron pronën. Këtu vetëm shtet nuk ka. Nuk prishet ky në momentin që të duhet ta prishësh për interesin tënd, përtej interesit publik. Është njëlloj si te Astiri, që një pjese ua prish dhe një pjese jo. Këtu duhet të prishet me ligj, jo me urdhër”.