Ka nisur në datën 3 tetor aplikimi për Lotarinë Amerikane. Kështu të gjithë shqiptarët të cilët duan të prekin ëndrrën amerikane, mund të plotësojnë formularin e aplikimit dhe të presin nëse do të jenë fitues. Teksa një vit më parë, gati 13% e popullsisë shqiptare aplikoi për lotarinë amerikane, edhe këtë vit duket se aplikimet do të jenë në masë. Qytetarët shprehen për Tirana Today se Amerika është shpresa e vetme e shqiptarëve për tu larguar.
“Atje mund të ketë mundësi më të mira për punë. Të ikim nga këtu sepse nuk po rrihet më. Unë personalisht po të më dalë lotaria, do të iki me vrap.”
“Me shumë mundësi që do ta hedh edhe këtë vit. Është çështje tradite që e hedh vit për vit. Amerika është një mundësi e mirë për të krijuar një jetë tjetër, në një vend shumë të zhvilluar.”
“Po do ta hedh së bashku me familjen time. Po arsyeja dihet të ikim në emigrim për një jetë më të mirë. Unë e kam hedhur më shumë se gjashtë herë, por shpresoj që kësaj radhe të më dalë.”
“Patjetër që do ta hedh pasi dua të iki. Për shumë arsye, si mentaliteti i njerëzve, ekonomia shumë e ulët dhe disa faktorë të tjerë që dua të jem larg Shqipërisë.”
Të pakët janë ata qytetarë të cilët shprehen se nuk duan të largohen nga Shqipëria. Sipas tyre edhe këtu mund të bëhet një jetë shumë e mirë, nëse punon dhe je i zoti. Ndaj nuk do ta hedhin lotarinë amerikane.
“Jo, nuk do ta hedh sepse nuk mendoj të iki. Kam plane të tjera për këtu dhe për mua Shqipëria është më mirë se vendet e tjera.”
“Nuk kam asnjë interes që ta hedh lotarinë amerikane, pasi kam një shkollë të mirë. Po ashtu nesër do të kem një profesion të mirë. Nëse je i zoti dhe e ke mbaruar shkollën mirë, atëherë mund t’ia dalësh si këtu, po ashtu edhe në Amerikë.”
“Nuk mendoj se do të më dalë lotaria këtë vit, por është kthyer në diçka që e bëj çdo vit. Gjejmë ngushëllim kur hedhim lotarinë, të bëjmë si gjithë shqiptarët.” TIRANA TODAY