Los Zetas, është një kartel meksikan i drogës, i njohur për makinerinë e saj të sofistikuar të krimit dhe brutalitetit. Interesant është fakti që ky grupim kriminal është formuar nga 34 ish-ushtarakë meksikanë, që më herët kishin qenë ushtarë të forcave special. Ata e nisën aktivitetin kriminal si Karteli i Gjirit të Meksikës.
Kur Osiel Cardenas Guillen, mori përsipër drejtimin e kartelit, ai ndodhej në mesin e një lufte të dhunshme. Për të mbrojtur veten, Guillen punësoi si truprojë një ushtarak meksikan në pension, që nga ana e tij rekrutoi 30 dezertorë të ushtrisë meksikane, që të formonin krahun mercenar të mirë-paguar të kartelit. Pas disa kohësh ky grup u shpërbë, për t’u riformuar si Los Zetas.
Disa nga anëtarët themelues të kësaj organizate kriminale si Los Zetas, u trajnuan në vitet 1990 nga oficerët amerikanë të Grupit të Posaçëm të Forcave Speciale të SHBA-së. Ata morën pjesë në kurse për leximin e hartave, komunikimeve, si dhe udhëzime se si përdoren armë të lehta dhe të rënda etj.
Ironia është se trajnimi që ata morën, duhej t’i përgatiste edhe për operacionet kundër narkotikëve. Në vend të kësaj, ata u bënë karteli i drogës që duhej të luftonin. Los Zetas është aktualisht karteli më i madh i drogës në Meksikë, në aspektin e shkallës së operacioneve. Ajo operon në më shumë se gjysmën e 32 shteteve të vendit, duke ia kaluar në vitin 2011 edhe Kartelit Sinaloa.
Ky grupim kriminal, rekruton shumë nga anëtarët e saj në Shtetet e Bashkuara, për aktivitetet e saj të trafikimit të drogës në Meksikë dhe SHBA. Kjo ndodh kryesisht në burgjet amerikane, por edhe anëtarët e bandave të rrugës. Për më tepër, Los Zetas është jashtëzakonisht e dhunshme.
Ajo sponsorizon dhe u jep ryshfet politikanëve në Meksikë, dhe kjo përbën një problem të madh. Pasi nëse ligjvënësit janë kukulla të karteleve të drogës, atëherë ka shumë pak shpresë se lufta kundër karteleve do të mund të fitohet ndonjëherë.
Që nga viti 2011, në Meksikë ka pasur skandale të shumta, të cilat kanë ekspozuar lidhjet e ngushta mes politikanëve dhe karteleve të drogës. Këto raste, kanë nxjerrë në pah interesin në rritje të karteleve meksikane në ndikimin e politikës, vendase. Por edhe politikanët meksikanë, janë po aq të interesuar për të ndarë përfitimet nga trafiku i drogës.
Tomas Jarrington, ish-guvernator i Tamaulipas, po përballet aktualisht me akuza të shumta për trafik droge dhe pastrim parash në Shtetet e Bashkuara. Në aktakuzën ndaj tij, pretendohet se ish-guvernatori mori ryshfete nga kartelet e drogës, në këmbim të mbrojtjes zyrtare.
Thuhet se Jarrington, i ka lejuar kartelet e Gjirit dhe Los Zetas të veprojnë në shtetin e tij, pa pengesë, në këmbim të ryshfeteve. Edhe ish-guvernatori Humberto Moreira, është akuzuar publikisht nga ish-presidenti meksikan Felipe Kalderon se ka mbrojtur Los Zetas në shtetin e tij.
Karteli i Los Zetas, prodhon dhe kontrabandon droga të paligjshme si kokaina, heroina, metamfetamine, ekstazi dhe marijuana. Tradicionalisht, kartelet meksikane kufizoheshin vetëm në rritjen dhe prodhonin e drogave në territorin meksikan dhe vendet e tjera më pak të përparuara, ku zyrtarët e qeveritarët ishin bashkëpunëtorë ose të paaftë, për të prishur operacionet e tyre.
Megjithatë, kohët e fundit, ata janë më aktivë në prodhimin e drogës në vende shumë të përparuara si Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2015, autoritetet amerikane zbuluan një fushë të madhe me kanabis në Teksas, me një vlerë tregu prej 2 milion dollarësh. Mësohet se ajo ishte në pronësi të kartelit Los Zetas. Los Zetas, njihen se punojnë jashtë vendit, duke blerë lëndë të para nga Argjentina, ndërsa veprojnë edhe në vendet e largëta aziatike si Malajzia.
Në përgjithësi, kartelet meksikane të drogës, funksionojnë aktualisht në 47 vende të botës, përfshirë Kolumbinë, Guatemalën.
Por, trafiku i drogës nuk është aktiviteti i tyre i vetëm kriminal. Përveç prodhimit të drogave ilegale dhe trafikimit të tyre, banda merret gjithashtu me rrëmbime dhe grabitje. Në gushtin e vitit 2017, karteli rrëmbeu 17 vetë, dhe i mbajti ato në një shtëpi të fshehur në Nuevo Laredo. Shpëtimi i pengjeve u bë i mundur nga një letër anonime, që njoftonte për disa persona të armatosur, që kishin sjellë disa njerëz në një shtëpi në lagjen Villas de la Fe.
Banda merret gjithashtu edhe me trafikimin e emigrantëve. Shumë shpesh Los Zetas, rrëmben dhe mban peng emigrantë të varfër. Nëse të afërmit e tyre nuk paguajnë për lirimin e tyre, ata mund të vriten dhe hidhen në varreza masive. Brutaliteti dhe aktet ç’njerëzore, janë tiparet më të dukshme të karteleve të drogës në të gjithë botën, por Los Zetas i ka çuar ato në një nivel të ri.
Në gushtin e vitit 2010, katerli masakroi 72 emigrantë që i kishte rrëmbyer në një fermë të largët në verilindje të Meksikës, pasi të afërmit refuzuan të paguanin një shpërblim për lirimin e tyre. Los Zetas, lidhet edhe me disa vrasje të tjera masive në Meksikë. Vrasjet më brutale, ndodhën kur karteli drejtohej nga Miguel Angel Trevino Morales.
Lordi i pamëshirshëm i drogës, thuhet se ka vrarë personalisht 2.000 njerëz, përveç urdhërimit të mijëra vrasjeve të tjera. Mënyra më e preferuar e vrasjes së Morales, ishte që t’i fuste viktima në fuçi të mbushura me naftë, që më pas u vinte flakën. Ai gjithashtu i detyronte emigrantët meksikan të kapur rob, të angazhoheshin si dikur në luftimet e gladiatorëve, deri në vdekjen e njëri prej sfidantëve.
Ai mbikëqyrte shpesh “vrasjet eksperimentale”, ku rekrutët e rinj urdhëroheshin të vrisnin njerëz me një sqeparë ose varre. Mjerisht, Los Zetas, ndihmohen ndonjëherë edhe nga policia meksikane. Pas vrasjes së 72 emigrantëve më 2010, hetimet e mëvonshme zbuluan se disa policë meksikanë e ndihmuan bandën në kryerjen e asaj masakre.
Ishte policia lokale, ajo që arrestoi emigrantët që udhëtonin me autobus, dhe i dorëzoi ata bandës. Besohet se policët e korruptuar, kanë gisht në vdekjen e 193 njerëzve, trupat e të cilëve u gjetën në varret e fshehura në San Fernando në vitin 2011, dhe 49 të tjerëve në Kaderejta, në shtetin Nuevo Leon në vitin 2012.
Ushtria meksikane po përpiqet prej vitesh, megjithëse pa sukses, për të çmontuar një rrjet të gjerë antenash radiosh të ndërtuara dhe përdorura nga Los Zetas. Autoritetet kanë dështuar të shkatërrojnë këtë rrjet për 2 arsye: së pari pajisjet radio janë të lehta për t’u zëvendësuar; dhe së dyti banda mbështetet në punën e detyruar të qindra njerëzve, për të ndërtuar dhe mirëmbajtur pajisjet e radios. Radiokomunikimi, u ka dhënë atyre një avantazh mbi agjencitë meksikane të zbatimit të ligjit për vite me radhë./ Përgatiti Tirana Today