Kronikë

“S’e lejonin të ushqehej me gji”/Vajza e Arben Ndokës: Policët na drejtuan armët…

               Publikuar në : 13:56 - 15/04/19 Enno

Vajza e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka ka rrëfyer momentin kur i ati ra në pranga të policisë për tjetërsim pronash.

Në një intervistë për ‘Fax News’, ajo tha se atë ditë policët i kanë drejtuar armën asaj, të ëmës dhe vëllezërve dy muajsh, teksa rrëfen momentin kur forcat RENEA kanë hyrë me forcë në lokalin e ish-deputetit Ndoka në Lezhë, dhe kanë arrestuar aty Abren Ndokën, vëllain e tij dhe një tjetër të afërm.

“Atë ditë sapo ishim kthyer nga Italia dhe po shkonim te lokali ynë në Lezhë ku na prisnin disa familjarë. Ndenjëm disa minuta dhe vjen një burrë duke folur në telefon. Kamarieri i tha që lokali është mbyllur por ai bëri sikur nuk e dëgjoi dhe pastaj porositi kafe.

Pastaj erdhën dy furgona policie, mami tentoi të mbyllte derën se u frikësuam por ata na drejtuan armën të gjithëve.

Policia më kishte drejtuar armën mua mamit dhe vëllezërve dy muajsh. Isha shumë e trembur, policët më thonin të pushoja se unë po qaja. Policët shtynin me këmbë soxhelinot ku ishin fëmijët.

Mami kishte në dorë një nga bebat, vëllain tim. Mami i pyeste kush ishin pse kishin ardhur ata nuk përgjigjeshin. Policët ishin të maskuar. Kapën xhaxhain tim dhe e vunë në një cep të lokalit, pastaj edhe babain. Në një moment futet komandanti i RENEAS dhe i thotë mamit, nuk ka asgjë, do e marrim për disa pyetje.

Mami po i thoshte që është padrejtësi dhe mos në sy të fëmijëve. Unë qaja dhe bërtisja. Policët dolën jashtë, unë dola dhe i ndoqa. Më pas më morën dhe më cuan në shtëpi.
Të gjithë nuk ndjeheshim mirë.

Ne shkuam në shtëpi, pas disa minutash na marrin në telefon e na thonë është kapur edhe halla, motra e babait. Mami u shokua se ajo kishte djalin 9-muajsh me gji. Fëmija vetëm qante, ata s’e lejonin të ushqehej me gji”, tha Ambra.

Ndërkohë, Ambra ka treguar se për përmirësimin e saj dhe kapërcimin e lehtë të situatës i është dashur bashkëpunimi me një psikologe.

“Atë ditë unë u sëmura, nuk shkova në shkolla, mami thirri psikologen, ajo erdhi te unë dhe më pyeti më trego rastet kur shoqet të kanë mbështetur dhe kur jo. Unë i tregova një rast që një vajzë më tha cfarë familje e degjeneruar jeni, ke një baba të shkatërruar. Unë nuk kisha nerva të merresha me atë vajzën dhe u ktheva nga shoqet e mia. As mamit tim nuk i tregova cfarë ndodhi. Psikologes i tregova, ajo i kishte thënë mamit. Mamaja ime mori në telefon mamanë e vajzës tjetër dhe i tha se bullizmi është i dënueshëm por ajo i ka thënë se vajza të ka gënjyer. Unë s’doja ta ngarkoja mamin me këto gjëra pas këtyre që ndodhën. Të nesërmen drejtori e bëri të madhe në shkollë, erdhi zysha më pyeti cfarë kishte ndodhur. Ajo më mbështeti dhe unë e falenderoj.

Jam ende e traumatizuar. Një ditë që po shkoja në shkollë pashë disa fugona policie. Ishin shumë. I shikoja me habi dhe e trembur”, rrëfeu Ambra.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT