I pranishëm në “Byro Politike” me gazetaren Juli Xhokaxhi, ish kryeministri Sali Berisha komentoi edhe çështjen e Dritan Dajtit, i cili u dënua me 25 vite burg, duke shmangur burgimin e përjetshëm. Berisha u shpreh se ai mori dënimin e merituar kur ai ishte kryeministër, ndërsa akuzoi Ramën për lidhje me të.
“Sa i përket Dritan Dajtit ka marrë atë që meriton nga qeveria ime. Ai që ka shkruar raportet në Wikileaks nuk është më në administratën amerikane (nuk ia përmend emrin ambasadorit John Withers që kishte dërguar një kabllogram në DASH në 25 nëntor 2009 ku fliste për lidhje të Dajtit me nendrejtorin e policisë Agron Kuliçaj). Ka një vlerësim atje për çdo gjë. Administrata amerikane kanë një gjë shumë të mirë, ka komunikim të lirshëm. Dhe unë flisja për të sqaruar çdo gjë.
Drejtor ishte Ahmet Premçi. Ai ka drejtuar operacionin. Edi Rama ka qenë i lidhur. Ç’lidhje ka pasur para 2005-ës me Shullazin dhe Dajtin? Çfarë premtimi i ka dhënë Marko Dajtit kur e mori në koalicion përballë Berishës?
Ç’janë ata qytetarë që e vizitonin Dajtin në qeli si të ishte një “guru”. Berisha e dënoi përjetë Lulzim Berishën. Rama dhe Dako e liruan. Aldo Baren e arrestoi Berisha, ndërsa Rama i çoi ministrin në qeli. Edhe për Kostandin Xhuvanin tha: “Do vuajë vite të gjata në burg” dhe nuk u dënua me burgim të përjetshëm. Dini ndonjë rast tjetër të vriten 4 njerëz dhe të mos dënohen me burgim të përjetshëm, përveç Dajtit dhe Xhuvanit?”, – u shpreh Berisha.