Në adresë të kryedemokratit Basha, Aleanca për Mbrotjen e Teatrit i ka dërguar sot një letër publike, ku i kujton marrëveshjen që ka nënshkruar me ta në korrik 2019. Ata shkruajnë se një ndër pikat e kontratës është dhe ndryshimi i Kushtetutës.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shprehet e zhgënjyer me kreun e Partisë Demokratike. Teksa sot mbushen 10 muaj nga nënshkrimi i kësaj kontrate, ky konsultim nuk ka nisur ende, ndërsa mbetet më pak se një javë nga afati për miratimin e reformës zgjedhore. Në mbyllje te letrës, Alenca për Teatrin thekson se me rëndësi është hapja e debatit kombëtar për një Kushtetutë të re, hartimin brenda vitit dhe miratimin me referendum në pranverë 2021.
Letra
I nderuar z. Basha, më 25 korrik 2019, ne, anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (AMT), kemi nënshkruar një kontratë me ju, si kryetar i PD dhe Opozitës së Bashkuar. Në paragrafin 5 të kësaj kontrate shkruhet:
“Partia Demokratike angazhohet për një sistem zgjedhor, që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese, që synon rritjen e kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve apo forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit. Diskutimi mbi këtë çështje duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë në hartimin e tyre përfaqësues të të gjitha grupeve të interesit dhe shoqërisë civile”.
Sot mbushen 10 muaj nga nënshkrimi i kësaj kontrate dhe ky konsultim nuk ka nisur ende, ndërsa mbetet më pak se një javë nga afati për miratimin e reformës zgjedhore. Në këto kushte, ne gjykojmë se zgjidhja e vetme është miratimi i sistemit proporcional kombëtar, me lista të hapura, si e vetmja alternativë për ndryshimin e sistemit, pa ndërhyrje në Kushtetutë. Ne kërkojmë gjithashtu hapjen e debatit kombëtar për një Kushtetutë të re, hartimin brenda vitit dhe miratimin me referendum në pranverë 2021.