Në 9 shtator, kreu i PD-së Basha njoftoi përjashtimin e ish-kryeministrit Berisha nga grupi parlamentar demokrat. Më pas PD depozitoi në Kuvendin e Shqipërisë listën me deputetët që do të jenë pjesë e grupit. Janë 44 deputetë që janë pjesë e grupit parlamentar të PD, ndërsa Berisha u la jashtë. Nga dje, ish-kryeministri Sali Berisha është zyrtarisht jashtë grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Kuvendi ka publikuar në faqen e tij zyrtare grupet parlamentare, ku tek ai i PD është reflektuar numri i deputetëve që ka depozituar kreu i PD, Lulzim Basha, që është 44 ligjvënës dhe që ish-kryeministri Sali Berisha nuk është pjesë e tij.
Kjo është një tjetër goditje e fortë që ish-kryeministri Berisha ka marrë ditët e fundit, pasi deputetët e Partisë Demokratike thuajse çdo ditë kanë dalë në media dhe kanë mbrojtur vendimin e kryedemokratit Basha për të përjashtuar ish-liderin demokrat.
Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri, komentoi dje në media situatën në Partinë Demokratike dhe turin e takimeve të ish-liderit Sali Berisha me bazën e partisë. Kulluri theksoi se axhenda e “Grupit për PD” ku ai bën pjesë dhe axhenda e Berishës përputhen, por shtoi se lëvizja që ka nisur ish-kryeministri është aksion i tij personal. “Nga ajo që kam kuptuar unë po, janë çështje që ne i kemi ngritur që para katër vitesh. Axhendat tona përputhen, por lëvizja që ka nisur Berisha është një aksion i tij politik dhe nuk besoj se është e nevojshme t’i bashkëngjitemi. Nëse do përputhemi, nuk mund të them që nuk mund të ketë bashkim, por kjo duhet parë në vijueshmëri”, deklaroi ish-anëtari i Këshillit Kombëtar, Edvin Kulluri.