Editorial - Opinione

Kur çmenduria shkatërron vendin


               Publikuar në : 20:31 - 09/10/19 M. S

Nga: Klodian Tomorri

Pas rrotës, shpikjen e dytë më të madhe të njerëzimit e ka bërë qeveria shqiptare. Një mendje brilante brenda qeverisë, ka vendosur që shërbimi ndaj tatimpaguesve t’i hiqet Administratës Tatimore, dhe të kalojë tek Adisa. Çmendurinë e kanë bërë me vendim qeverie. Kjo është njësoj sikur urgjencën mjekësore ta kalosh nën varësinë e Ministrisë së Bujqësisë, ngjitur me seksionin e domate-kastravecave.

Në çdo vend të zhvilluar, por edhe në vendet në zhvillim, kati i parë i selisë së administratës tatimore është shërbimi ndaj tatimpaguesit. Madje, Internal Revenue Service, administrata tatimore e Shteteve të Bashkuara Amerikane e ka misonin baze të saj shërbimin ndaj tatimpaguesve. Nuk ka mbledhjen e të ardhurave, por tu shërbejë qytetareve dhe bizneseve amerikane.

Dhe kështu duhet të jetë. Qëllimi dhe misioni i një administrate fiskale, nuk është të realizoje plane, por t’i shërbeje tatimpaguesve, pra qytetarëve dhe biznesit që të jenë ne rregull me ligjin. Ky është kontributi më i çmuar i një administrate, sepse duke qene ne rregull tatimpaguesit me ligjin, financohen shërbimet publike dhe shoqëria behet me e drejte.

Por një reformator brilant ne qeveri ka vendosur qe shërbimin ndaj tatimpaguesit ta zhvendose ne sportelet e Adises, njësoj si radhët e qumështit qëmoti. Tani, nje biznes i cili ka nje pyetje për Tatimet, duhet te shkoje te zërë radhën ne sportel dhe te pyese sportelisten e Adises. Kjo e fundit do e përcjellë pyetjen tek Tatimet. Me pas Tatimet do t’i pergjigjen Adises, dhe qytetari kismet ka ndonjë shans te marre përgjigje.

Ky është shkallmim i administratës tatimore ne themel. Kjo eshte çmenduri qe mund te behet vetem ne kushtet e injorancës se thelle fiskale. Cilido ekspert qe ka njohurite me minimale te sistemit dhe administratës fiskale, nuk do e pranonte kurre nje gje te tille.

Kthejeni shërbimin ndaj tatimpaguesve tek Administrata Tatimore, mos beni eksperimente injorance. Ne vend qe te rregullojnë gjerat e mbrapshta, shkojnë e prishin ato pak qe jane ne rregull. Çmenduri.

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT