E enjte, 28 Tetor, 2021
5.5 C
Tirana

Kulmi i marrëzisë: E sheh përditë dhe e pret verifikimin nga Pandora Papers

Nga: Alfred Lela

Pas Paradise dhe Panama Papers, Pandora është rrjedhja më e madhe e dokumentacionit sekret financiar, në një total prej 11.9 milionësh. Emrat e mëdhenj të përfshirë në leaks variojnë nga despotët e zakonshëm të hapësirës ish-sovjetike si Putin e Alyev, dhe deri te krerët e ish-hapësirës komuniste euroqendrore, si presidenti çek Babis, apo deri në kufijtë, kinse të pamundur të Perëndimit, ku rri qesh-e-ngjesh anglo-saksoni i virtytshëm Tony Blair.

Emri i këtij të fundit është edhe ilustrimi i asaj se, edhe për gazetat prestigjioze, si për shembull britanikja The Guardian, një skandal global bëhet skenë e animeve politike. E përditshmja gati e shfajësonte ish-kryeministrin e partisë së majtë (Laburiste), edhe pse ai me të shoqen ishin përfshirë në një transaksion që u ruante mbi 300 mijë paund nga blerja e një shtëpie (dhe ia largonte arkës së shtetit britanik, të cilin e kish drejtuar për tre mandate). E njëjta media ishte shumë më gjykuese për kryeministrin aktual, konservatorin Boris Johnson. I cili, në fakt, nuk kishte aspak të bënte me skandalin. Emri i tij futej në rreth nga The Guardian vetëm për faktin se disa donatorë të Partisë Konservatore ishin pjesë e dokumenteve të rrjedhura.

Kjo lojë tymi dhe pasqyrash prek edhe gazeta të mëdha, të respektuara, perëndimore. Imagjinoni tani mediat tona gjytryme apo portalosferën e Tiranës.

E cila në këtë rast është një raportuese indirekte dhe terciare. Përfshirja shqiptare në Pandora Papers duket se përbëhet nga 13 kompani dhe një politikan, prej të cilëve BIRN, partneri shqiptar i ICIJ (Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarisë Investigative) ka identifikuar vetëm njërën. Një kompani në sektorin e energjisë me lidhje me OST, ish-kryeministrin socialist Nano, një projekt të GIZ-it gjerman për linjat e interkonjeksionit dhe ‘pajtimin’ e qeverive shqiptare si të majta dhe të djathta me të.

Me siguri, kureshtja e madhe lidhet me politikanin e ‘hamendësuar’ në Pandora Papers dhe për këtë duhet pritur një ose dy ditë, derikur ICIJ të shkarkojë të gjithë lumin prej 11.9 milion dokumentesh në faqen e vet.

Cilidoqoftë emri, ai nuk do të thotë asgjë, ose fare pak, si për skandalet ashtu dhe për shkallën e korrupsionit, dhe sidomos të reflektimit që shqiptarët kanë mbi të. Zhurma për Pandora Papers, Panama Papers, kabllogramet e Uikileaks etj., dhe distanca disa vjeçare mes tyre, theksojnë sërish e përherë atë të njëjtë gjë. Korrupsioni është kthyer në një enë të zbrazët e cila nuk jep më lajme, por shuan kureshtje. Përsëritja dhe mbivendosja e akuzave, thashethemeve, denoncimeve opozitare, mini-investigimeve gazetareske, kinsepadive dhe proceseve të sistemit gjyqësor, i kanë hequr çdo kuptim dhe rëndësi, si korrupsionit ashtu edhe akteve përbërëse të tij. Të korruptosh dhe të korruptohesh sot është një gjest bosh. Përderisa thuhet se e bëjnë të gjithë duhet ta bëjnë të gjithë. Sa kohë që e bëjnë të gjithë dhe askush nuk dënohet, dmth se ai është lubrifikant dhe jo ngecës i shoqërisë.

Rastet e ‘suksesit’ kundër korrupsionit, për shembull procesi i ditëve të fundit i SPAK, dhe arrestimi i disa të mjerëve në drejtorinë Arsimore të Dibrës, që merrnin (mbani vesh!!!) 100 mijë lekë për një vend pune, është vetëm mënyra se si, mekanizmi mblidhet, si iriqi, për t’u vetëruajtur.

E njëjta gjë vlen edhe për kureshtjen, zhurmën dhe pritshmëritë për emrat nga Pandora Papers: e gjitha një iluzion i llojit tym dhe pasqyra. Një digestiv për të tretur ushqimin e rëndë informativ të ditës. Një mënyrë për të kaluar pasdarkën me misterin e pasurisë së dikujt dhe për ta ëndërruar veten, jo ndryshe prej tij, por krejt si ai.

Nuk ka nevojë për Pandora Papers, letra që vijnë nga thellësitë e ishujve Virgjinë dhe nuk thonë shumë, për faktin e thjeshtë se, më shumë se paligjshmëri janë lojë në kufijtë e imtë të ligjeve, ata që quhen loopholes.

Të jetosh në një vend ku hendeku i dallimeve shoqërore rritet mu para syve, ku aksionet më të mëdha në ekonomi i përfitojnë një grup i përbërë nga 5-10 vetë/kompani, ku në 30 vjet i dënuari i rangut më të lartë është një ish-ministër minoritar, në një ministri minoritare (si ajo e Punës), i proceduar për shpërdorim fondesh të një trajnimi.

Të presësh shpagim, dënim apo transparencë nga Pandora Papers është sikur, një ditë të bukur, vilat e shtrenjta në Rolling Hills apo Green Coast, të hapin gojë e të thonë se cilët janë burimet e pronarëve të tyre që vijnë nga politika, qeverisja apo administrata publike.

Ato nuk thonë asgjë veçse bërtasin më të qartën: jemi geto luksi.

Nëse e kthejmë mbrapa në mitologji emrin Pandora, mund të kujtojmë edhe një moment ftillues. Hapjen e kutisë prej nga dolën gjithë të zezat të cilat më pas i përftuan njerëzit. Kur e kuptoi se ç’kishte bërë, Pandora e mbylli kutinë duke lënë brenda të fundmen gjë: shpresën.

Kur ka shpresë deri në fund edhe vilat mund të flasin një ditë. Të na thonë atë presim më kot nga Pandora Papers.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Debate në Kuvend/Rushaj: Të diskutojmë për Krujën, Balla: Jo debate kafenesh

Helmimi i qytetarëve në Krujë është kthyer në një "mollë sherri" mes kreut të grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj dhe kreut të grupit...

Naftëtarët e Ballshit mblidhen para uzinës: Të opozitës vinë vetëm për votat

Naftëtarët e Ballshit janë mbledhur paraditen e sotme para uzinës në një tubim, pasi ende nuk ka një vendim se çfarë do të bëhet...

Pse askush në PD nuk po gëzon për “kandidaturën” e Sali Berishës?

Nga: Mero Baze Sali Berisha shpalli për herë të tretë kandidaturën e tij për të qenë në krye të Partisë Demokratike. Herën e parë më...

“Foltorja sjell largimin e Bashës e Ramës”, Topalli mbështet Berishën

Ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, ka deklaruar se “Foltorja” e Sali Berishës ishte iniciativa më e mirë që mund të ndodhte nga lideri historik i demokratëve....

“35 mijë euro kush vr*t Albin Kurtin”, policia rrethon banesën e kryeministrit

Forca të shtuara të policisë kanë qëndruar pranë shtëpisë së kryeministrit Albin Kurti, pas informacioneve për kërcënim. “Kryeministri Kurti është kërcënuar. Për këtë arsye,...