Shqipëria e fillon kryesinë e radhës së OSBE-së për vitin 2020, ndërkohë që rajoni ku vepron organizata përballet me sfida të konsiderueshme sigurie dhe të demokracisë. Në një diskutim në Komisionin e Helsinkit, anëtarë të delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, folën për përparësitë që do të ndjekë Tirana në vitin kur mban kryesinë. Por siç njofton kolegia Keida Kostreci, mangësitë që vazhdon të ketë Shqipëria në procesin e demokracisë brenda vendit, mund ta kufizojnë efektivitetin e saj për zgjidhjen e problemeve të ngjashme në zonën e OSBE-së.
Këshilltari Politik i Komisionit të Helsinkit, Bob Hand tha se kryesia e radhës organizatës më të madhe rajonale në botë, është një nder por edhe një sfidë, në kushtet e agresionit rus kundër Ukrainës dhe kërcënimeve ndaj vendeve të tjera fqinjë, disa konflikteve rajonale, rezistencës ndaj reformave demokratike në disa vende dhe zmbrapsjes serioze të demkracisë në vende të tjera.
“Ne në Komisionin e Helsinkit besojmë se përfaqësuesi më i lartë i OSBE-së, duhet të mishërojë frymën e 10 parimeve të Helsinkit dhe zbatimit të të gjitha angazhimeve të OSBE-së. Kjo nuk do të thotë që duhet të ketë një rekord të përkryer, dhe madje as një nga më të mirët mes 57 vendeve. Do të thotë që të jetë duke ecur qartë në drejtimin e duhur dhe të jetë qartësisht i përkushtuar ndaj asaj rruge. Kryesia kërkon kompetencë dhe dhe aftësi, por edhe besueshmëri”, tha zoti Hand.
Ditmir Bushati, kryetar i delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe ish-Ministër i Jashtëm, tha se pas anëtarësimit në NATO (në vitin 2009), kjo është arritja më e madhe e politikës së jashtme të Shqipërisë.
“Ne në Shqipëri, veçanërisht ky delegacion, jemi shumë të kënaqur me këtë sukses dhe ne synojmë ta transformojmë këtë, në një projekt uniteti kombëtar”.
Zoti Bushati tha se proceset demokratike që pas vitit ’90 kur Shqipëria ishte konsumatore e sigurisë, ishin të vështira dhe shpesh të dhimbshme, por shtoi se Shqipëria është tanë një faktor stabiliteti.
Rudina Hajdari, anëtare e opozitës në delegacionin e Shqipërisë, the se ky është një hap madhor për vendin.
“Mendoj që është e rëndësishme që kur vihemi përpara sfidave që janë goxha të rëndësishme për interesin e Shqipërisë, siç është kryesimi i OSBE-së, duhet të kemi vullnetin që të shfaqemi bashkë me njëri tjetrin krah për krah, për të treguar se Shqipëria është në gjendje që të ketë një untitet kombëtar kur vjen fjala për interesin e Shqipërisë”, tha ajo për Zërin e Amerikës.
“Tani ne ndodhemi në një udhëkryq goxha të vështirë, sepse kemi probleme, sfida brenda vendit tonë, por edhe në kuadër të dialogut Serbi-Kosovë”, shtoi ajo.
Por ndasitë the krizat politike në Shqipëri, ishin një temë e pashmangshme duke pasur parasysh që disa nga ato sfida me të cilat përballet OSBE-ja dhe do t’i duhet të merret Shqipërisë si kryetare e radhës, ajo i ka ende të pazgjidhura plotësisht vetë, si sistemi zgjedhor, lufta kundër korrupsionit dhe shteti ligjor, si edhe demokratizimi.
Një shembull është debati i fundit për paketën anti-shpifje, që OSBE-ja ka sugjeruar të rishikohet por që qeveria deri tani duket se nuk ka synim ta bëjë.
Zoti Hand tha se çështje si kjo vënë në pikëpyetje autoritetin moral të Shqipërisë kur trajton çështje të lirisë së medias në vende të tjera.
“Shqetësimi im kryesor është se është problematike për Shqipërinë ë Shqipëria t’i ketë këto ligje, por edhe do të jetë e vështirë që Shqipëria që të ngejë zërin për lirinë e shprehjes në ato vende të OSBE-së që kanë më shumë kufizime se Shqipëria në këtë drejtim”, i tha Zërit të Amerikës, zoti Hand.
“Shqipëria duhet të përparojë në këto fusha, nëse do që si kryetare e OSBE-së, t’u bëjë thirrje vendeve të tjera të marrin hapa në një drejtim pozitiv”, tha ai.
Zoti Bushati parashtroi përparësitë e Shqipërisë si kryetare e radhës, përfshirë mbështetjen e misionit të OSBE-së në Ukrainë, operacionet në terren me personelin e plotë dhe aktual, promovimin e lirive themelore, misionet e ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe nxitjen e diplomacisë parlamentare në shërbim të dialogut.
Zoti Hand solli edhe një perspektivë historike, duke rrëfyer se si në vitin 1991, në një seancë të Komisionit të Helsinkit, shkrimtari Ismail Kadare bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara ta mbështesnin aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Këshillin e Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë, jo si mbështetje për regjimin por për t’u dhënë shpresë njerëzve.
Ai iu drejtua zonjës Hajdari, vajza e heroit të demokracisë, Azem Hajdari.
“Babai juaj, ndërhyri menjeherë duke thënë ‘e mbështes plotësisht zotin Kadare dhe kjo do të ishte një mbështetje e madhe morale për popullin e Shqipërisë që ka vuajtur aq shumë’”.
Zoti Hand sugjeroi që me kryesinë e radhës së Shqipërisë plotësohet një cikël dhe shprehu shpresën që kjo të jetë një nxitje për të çuar përpara procesin e demokracisë dhe tranzicionit deri kur t’i plotësojë të gjitha aspiratat për integrim evropian. /VOA