Koronavirusi ka mbyllur ambasadën shqiptare në Itali, ndërsa janë pezulluar të gjitha shërbimet. Ambasada Shqiptare në Itali ka njoftuar se nesër do të mbyllet zyra konsullore në Romë, për shkak të një identifikimi të një pjesëtari të stafit me Covid-19. Në njoftimin zyrtar thuhet se po merren të gjitha masat për dezinfektimin e të gjitha mjediseve, ndërsa mbeten në pritje të rezultateve të testimeve të kryera për Covid-19, për të gjithë punonjësit e Ambasadës në Romë.
Njoftimi:
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë njofton se nesër, datë 15 tetor 2020, Zyra Konsullore e saj pezullon përkohësisht të gjitha shërbimet.
Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj për këtë njoftim të menjëhershëm, i kushtëzuar nga identifikimi i një rasti pozitiv ndaj Covid-19, ju bëjmë me dije se po merren të gjitha masat për dezinfektimin e të gjitha mjediseve tona dhe mbetemi në pritje të rezultateve të testimeve të kryera për Covid-19, për të gjithë punonjësit e Ambasadës në Romë, në mënyrë që të rifillojmë shërbimin sa më parë dhe me masat e nevojshme të sigurisë. Brenda ditës së nesërme do të njoftoheni për rifillimin e shërbimeve.
Lutemi të mos paraqiteni pranë Ambasadës Shqiptare në Romë dhe të respektoni këtë njoftim duke mbrojtur në këtë mënyrë veten dhe të afërmit tuaj.
Takimi i gjithsecilit do të zhvendoset në momentin më të afërt dhe të sigurt.
Faleminderit!