Drejtoria kriminale në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me drejtoritë vendore kanë nisur një operacion të gjerë në mbarë vendin.
Mësohet se aksioni është i fokusuar në kontrollimin e mjeteve luksoze dhe atyre të blinduara si dhe kontrollimin për subjektet që preken nga akti normativ anti-KÇK.
Deri më tani janë raportuar kontrolle të rrepta të policive vendore në Berat dhe në Fier. Në akset hyrëse dhe dalëse të qytetit të Fierit është shtuar prania e uniformave blu dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë.
Uniforma të shumta policore kanë zbritur në terren për kontrollet e personave që rezultojnë të shpallur në kërkim, apo atyre që posedojnë armë apo drogë. Mësohet se kontrollet do të vijojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme.
“Po ndodh në Fier. Plan masash për kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë, me mjete të blinduara pa dokumentacionin përkatës, për goditjen e trafiqeve të paligjshme dhe bllokimin e mjeteve të vjedhura. Kontrollet nga strukturat e DVP Fier dhe FNSH Fier”, njofton Policia e Shtetit.