Trupi i pajetë i gjetur në zonën e Petroliferës është i Nadire Nelaj, 72-vjeç. Fillimisht u raportua për një trup të gjinisë mashkull, por më vonë policia ka konfirmuar se trupi ishte i një gruaje. Në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune.
E moshuara Nadire Nelaj, ka punuar për shumë vite si mësuese në qytetin bregdetar. E ndjera ishte larguar nga shtëpia prej datës 8 tetor, dhe familjarët kanë kërkuar ndihmën e policisë.
Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, por grupi i hetimit po vijon punën. Nadire Nelaj banonte në fshatin Kotë të Vlorës, dhe nuk dihet se si ajo ka përfunduar në zonën e Petroliferës.
Vlorë/ Peshkatarët gjejnë një trup të pajetë
09:20- Një trup i pajetë është gjetur në zonën e Petrofilerës në Vlorë. Burimet nga ana e policisë njoftojnë se trupi i pajetë është konstatuar fillimisht nga peshkatarët mëngjesin e sotëm. Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes dhe identiteti i viktimës. Ndërkohë në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor.
“Më datë 13.10.2021, në orën 09:00, në afërsi të molit të Petroliferës, Vlorë, është gjetur i pajetë, një shtetas ende i paidentifikuar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”.