Juventusi dhe miti i Sizifit

Juventusi europian të kujton Sizifin, themeluesin e Korintit në mitologjinë greke i cili  u dënua nga zotat që të ngjiste një gur deri në majë të malit sërish e sërish dhe nuk do ta arrinte kurrë majën.  Sa herë Sizifi arrinte deri shumë pranë objektivit, guri rrokullisej prapë poshtë dhe atij i duhej të kthehej nga e para dhe të provonte sërish.

Ashtu dhe “zonja e vjetër” e futbollit italian, na ka treguar shumë herë këtë dekadë se nqs ka një skuadër që i ngjan Sizifit të Korinit, ajo është Juventusi. Njëjtë si Sizifi me gurin e tij vjen edhe rrugëtimi i Juventisit vit pas viti në Champions. Kanë arritur dhe majën; teksa dy herë kanë gjetur dhe finalen me Barcelonën dhe Realin e Madridit përballë, por guri për ta është rrokullisur dhe i është dashur ta nisin sërish sezonin pasardhës nga e para.

Në mitologjinë greke thuhej se Sizifi u dënua me këtë vuajtje nga zotat pasi ai tentoi pavdekësinë duke i’u shmangur dy herë vdekjes me marifetet dhe hilet e tij. Ndoshta dhe Juventusi është i destinuar që në një farë mënyre të “lajë” fajet e kampionatit italian në arenën europiane.

Ashtu si vitin e kaluar, aventura e Juventusit në Champions League përfundoi në raundin e 1/16-ave. Dhe nëse në 2019-2020-ën ishin modestët e  Lyon-it, këtë herë bardhezinjtë  u ekzekutuan nga Porto më e dobët e këtyre viteve të fundit (shumë larg titullit dhe pa yjet që prodhon çdo sezon në majën e sulmit), por një ekip gjithsesi luftarak  që nuk u shemb pavarësisht se luajti  me dhjetë vetë që nga minuta e 9-të e pjesës së dytë.

Ndeshja shkoi me shtesë dhe heroi i një nate për të mbajtur mend për portugezët ishte Sergio Oliveira, i cili shënoi dy herë. Numri 27 zhbëri bëmat e Chiesa-s.

Lexo edhe :   Video/ Fitorja nuk i mjafton Bajernit, PSG kualifikohet në gjysmëfinale

Nuk mjaftoi as Kieza

Shkëndija që i duhej Juventusit erdhi në dhomën e zhveshjes. Nuk dihet se çfarë u tha Pirlo, por me fillimin e pjesës së dytë, kapiteni Bonucci dhe shokët e tij të skuadrës dukeshin të transformuar në fushë. Pas më pak se 4 minutash,  goli i barazimit erdhi pasi Chiesa ktheu në rrjetë një asistim të Ronaldos duke ndryshuar rrjedhën e sfidës. Për t’i komplikuar jetën edhe më shumë Conceiçao-s mendoi Tameri teksa në hapësirën e 106 sekondave, mori dy kartonë të verdhë.

Porto, inferioritet numerik, u  tërhoq dhe Chiesa, pasi goditi shtyllën, realizoi me kokë, nga një krosim i shkëlqyeshëm i Cuadrado-s, goli që barazoi rezultatin e Dragao-s (2-1).

Me një lojtar më shumë në fushë dhe me energjitë e freskëta të McKennie-t dhe De Ligt-it (zëvendësimi që e tërboi Bonucci-n ), Juve kishte më shumë se gjysmë ore në dispozicion, për të shënuar golin që do të sillte kualifikimin, por fati nuk ishte me “bianconerët” .

Vendosi Oliveira

Gjithçka ndodhi më pas në kohën shtesë. Porto, me Sergio Oliveira -n, “fiku” shpresat e juventinëve me një në goditje të lirë (ku Ronaldo u kthye me kurriz në barrierë dhe e la topin të kalonte). Juventusi reagoi menjëherë dhe kaloi sërish përpara me një goditje me kokë nga Rabiot, por nuk kishte forcën për t’u kualifikuar. Champions League për ta ka mbaruar dhe këtë herë me zhgënjim.

Sigurisht që projekti i Pirlos ka pësuar një goditje shumë të rëndë. Jashtë Evropës dhe larg Interit në kampionat, trajneri fillestar ndodhet me shpatulla pas muri që tani në mes të marsit. –Totila Kotorri