Yuri Kim: SHBA pret lista të pastra dhe zgjedhje të lira e të ndershme

Ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim pati një prononcim për mediat nga Elbasani, pas takimit me drejtuesit politikë të forcave politike në këtë qark.

Gjatë fjalës së saj, Kim u shpreh se është thelbësore që drejtuesit politik të marrin përgjegjësitë që listat të jenë në përputhje me ligjin shqiptar, dhe përcaktimet e bëra nga SHBA.

Ajo deklaroi se pritshmërite e SHBA-ve janë të qarta, zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Yuri Kim:Sikurse e dini kjo javë është ë rëndësishme sepse të hënën partitë kanë dorëzuar listat e kandidatëve. Në të shkuarën mendoj që gara në Elbasan ka qenë shumë e rëndësishme, prandaj mendova se do ishte një kohë e mirë të shikoja situatën, të flisja vetë me njerëzit.

SHBA-të kanë qenë shumë të qarta lidhur me pritshmëritë tona për kandidatë të pastër. Është thelbësore që drejtuesit politikë të marrin përgjegjësi, që të sigurojnë që listat e tyre të jenë në përputhje me ligjin shqiptar, të gjitha ato përcaktime të bëra nga SHBA-të, të cilat kur merren si vendime nuk merren lehtësisht. E di se disa persona mund të thonë se ai është i përcaktuar nga ligji i SHBA por nuk është i dënuar dhe në fakt njerëzit me logjikë të thjeshtë do ta kuptonin që ky është një evidencë, jo për shkak se mungojnë faktet por për shkak të boshllëqeve në ligjin shqiptar.”