Po mbahet ditën e sotme mbledhja e katërt të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, për pasojat që la pas tërmeti i 26 nëntorit.
Gjatë fjalës së tij në këtë mbledhje, Rama u bëri thirrje qytetarëve të prekur nga dëmet e shkaktuara të bëjnë durim sepse projektet duan kohë.
Ai theksoi edhe një herë se çdo qindarkë e grumbulluar dhe destinuar për rindërtimin është në pritje të ekzekutimit të projekteve.
“Jemi gati që në ditët e ardhshme të dalim në procesin e garës së hapur ndërkombëtare për të ftuar kompanitë që do ofrojnë suport për shtëpitë individuale dhe kemi edhe të gjithë të dhënat lidhur me institucionet e shërbimit arsimor e shëndetësor si dhe hyrjen në fazën e projektimit për të bërë të mundur që në një kohë shumë shpejt të fillojmë edhe me këto procedurën e garave që të nisë rindërtimi.
Krahasuar me proceset normale të analizës, planifikimit e projektimit, kemi ecur shumë shpejt por nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm që njerëzit kanë çdo orë pyetjen se kur do kthehen në shtëpi e për këtë dua të kërkoj me shumë përulësi durimin e tyre se ne duam të bëjmë një rindërtim ku gjithçka të jetë sipas standardeve dhe kushteve optimale për ato kategori ndërtesash që janë pjesë e procesit dhe ku në fund gjithkush të marrë një shtëpi më të mirë se ajo që kishte, është e nevojshme të bëhet pak durim më vjen keq që në raste të caktuara kam parë edhe desinformim edhe përpjekje për të njollosur procesin duke njollosur edhe miqtë që janë të përfshirë.
Çdo qindarkë e publikut qoftë përmes buxhetit, donacioneve, në drejtim të qeverisë, organizatave të përfshira në këtë proces është në pritje të ekzekutimit të projekteve, kjo kërkon edhe pak kohë se projektet duan kohën e tyre”, tha ai.