Kreu i shtetit, Ilir Meta, ka shuar kureshtjen ndaj të gjithë atyre që e pyesin pse ka bërë koalicion me Partinë Socialiste në prill të vitit 2013. Në një reagim në rrjetet sociale, ai ka postuar një fjalim të mbajtur në 5 maj 2013, ku ka bërë thirrje publike të votoheshin urgjent para zgjedhjeve parlamentare, Ligji për Gjykatën e Lartë, Ligji i Nëpunësit Civil dhe Reforma Parlamentare, tre kushte të Bashkimit Europian.
Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Meta thotë se ato mbaheshin peng nga Rama. Ai e mbyll statusin e tij duke iu rikujtuar Ramës se pa respektimin e marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, nuk ka çelje negociatash.
Statusi
Për të gjithë ata që më pyesin pse bëra koalicion me Partinë Socialiste në prill të vitit 2013, kam një kujtesë nga fjala ime e mbajtur në 5 maj 2013, Ditën e Shenjtë të Dëshmorëve, para familjarëve të tyre dhe veteranëve, ku kam bërë thirrje publike të votoheshin urgjent para zgjedhjeve parlamentare, Ligji për Gjykatën e Lartë, Ligji i Nëpunësit Civil dhe Reforma Parlamentare, tre kushte të Bashkimit Europian, që mbaheshin peng nga Kryemashtruesi i Sektit “Rilindje”.
Në 30 maj 2013 isha po unë që e detyrova Kryemashtruesin e Sektit “Rilindje” t’i votonte në Kuvend:
Ligji për Gjykatën e Lartë me 108 vota pro
Ligji i Nëpunësit Civil me 107 vota pro
Reforma Parlamentare me 108 vota pro.
Tani është koha t’i lerë mashtrimet ordinere dhe të kuptojë njëherë e mirë se pa respektimin e Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit nuk ka çelje negociatash.
Për të tjerat, ju ftoj të gjithëve të më ndiqni sot live në Syri TV, në ora 20:45, në një intervistë me gazetarin Çim Peka, përballë edhe një paneli të nderuar analistësh.