Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, shkruan se projektligji ‘anti-shpifje’ është një iniciativë e qeverisë për të vrarë të vërtetën. Ajo thekson në Facebook se një iniciativë e tillë për të censuruar median, e godet fortë Shqipërinë në imazh dhe në procesin e integrimit europian.
Po kështu instalon një sistem diktatorial dhe të rrezikshëm. Gjosha shprehet më tej se çdo ndërhyrje politike për të mbajtur nën kontroll median, mbetet tentativë për të shtrëmbëruar të vërtetën dhe për të instaluar frikën. Kjo në mënyrë që të sigurojnë pushtetin nëpërmjet abuzimit.
Statusi
Cënimi i fjalës së lirë është akti më i rëndë në demokraci. Një iniciativë e tillë për të vrarë të vërtetën dhe për të censuruar median, e godet fortë Shqipërinë në imazh, në procesin e integrimit europian dhe instalon një sistem diktatorial dhe të rrezikshëm.
Shqipëria në kryesimin e saj të OSBE duhet të jetë një vend model i respektimit të të drejtave themelore të njeriut. Ne duhet të jemi pararojë e çeljes së debatit për respektimin e pushteteve të pavarura dhe krijimin e kushteve për vetërregullimin e tyre. Çdo ndërhyrje politike për të mbajtur nën kontroll median është tentativë për të shtrëmbëruar të vërtetën dhe për të instaluar frikën, në mënyrë që të sigurojnë pushtetin nëpërmjet abuzimit!
Mjaft më me censurë, është koha e të vërtetës! Është koha për ndryshim!