Një gjobë prej 500 mijë lekësh të vjetra ka shqetësuar qytetarin nga Kuçova, Dalip Bariu. Ai vendosi ta mbyllë pastiçerinë në vitin 2019 pas rreth 16 vitesh.
Por 1 vit para se të mbyllte, në vitin 2018, dy punonjës të AKU-së Berat i shkuan për kontroll dhe e gjobitën me 500 mijë lekë të vjetra. Dalipi refuzoi sepse iu duk e padrejtë dhe nuk firmosi. Ai bëri ankesë në AKU-në qëndrore në Tiranë. Por nuk mori kurrë përgjigje.
Tani, kur kanë kaluar 3 vite, atij i vjen gjoba që duhet ta paguajë. Edhe pse biznesin e ka mbyllur në vitin 2019. Dalipi thotë se duhej të njihej me gjobën të paktën brenda vitit. Tani nuk ka asnjë mundësi për ta paguar.
“Kam pasur një aktivitet nga viti 2003 deri në 2019. Vladimir Nona dhe një Valbona Duro më erdhën për inspektim këtu, të Drejtorisë së AKU Berat. Ata thoshin pse ke lënë xhaketën, çantën varur apo diçka tjetër që m’u duk e padrejtë. Fillimisht kam shkuar të drejtori i AKU-së Berat, ai më thotë nuk i marrim ne ankesat, ankesat duhet t’i nisësh në AKU-në qëndrore. Dhe unë këta bëra. Më erdhi shkresa që e morën ankesën tuaj dhe s’më kthyen asnjë përgjigje. Unë e mbylla dyqanin. Më vjen një gjobë nga AKU-ja në 15.9.2021 prej 50 mijë Lekësh të reja ose 500 mijë Lekë të vjetra kur unë kam gati 3 vjet që është bërë ky inspektim. Pas 3 vjetësh më vjen kjo gjobë që unë kam ngelur i befasuar, kur unë sot s’kam asnjë të ardhur. Tani unë jam pa punë, nuk kam të ardhura që t’i paguaj këtë gjobë”, thotë denoncuesi.
Dalipi tregon edhe një episod tjetër se çfarë i tha njëri nga inspektorët e AKU-së Berat, i quajtur Vladimir Nona, që i shkoi për inspektim.
“Këta dy persona që më erdhën dhe më bënë inspektimin, e pashë që po bënte me kolegen që të dilte përjashta dhe ajo doli. Ndërkohë më thotë, ti je i zgjuar, duhet të reagosh. Unë e kuptova por nuk kisha mundësi sepse aq punë kisha, s’kisha, unë mezi nxirrja të ardhurat për t’u ushqyer. Dhe më kërcënoi. 3 milionë e ke gjobën, dhe ma tha 2-3 herë. Unë nënkuptova që ai kërkonte diçka në dorë”.
Dalipi dhe gazetari i Stop shkuan në zyrat e AKU Berat. Juristja e këtij institucioni thotë se ka shumë anomali që janë shkaktuar nga një jurist tjetër që nuk e ka bërë punën e vetë. Madje, si denoncuesi që u ankua në emisionin Stop, juristja thotë se ka edhe shumë persona të tjerë me problematika të ngjashme.
Juristja: Këtu shoh shumë anomali. Para meje, ka qenë një jurist tjetër, që nuk e ka bërë punën e vet.Nuk kam asnjë vendim, që zotëria ka ankimuar.
Gazetari: Kjo është një gjurmë e postës, që ankesa është dërguar brenda 30 ditëve.
Denoncuesi: Në këtë moment, nuk kam ta paguaj.Jam pa të ardhura.
Juristja: Keni shumë të drejtë.
Denoncuesi:Më thanë, që t’i drejtohesha AKU qëndrore.
Juristja: Ne i kemi gjetur me shumë mangësi dosjet. Janë me shumë mangësi. Si zotëria ka plot. Shumë gjoba janë parashkruar. /tvklan.al