Policia në Dibër ka dhunuar një gazetar i cili ka qenë duke filmuar arrestimin e disa personave.
Bëhet fjalë për gazetarin e News24, Enver Doçi i cili deklaron se është goditur me tytën e automatikut dhe me karikator nga forcat RENEA. Përveç kësaj, gazetari Doçi shprehet se policët i kanë thyer edhe telefonin celular bashkë me kartën e gazetarit.
“Policia më goditi, më hodhi telefonin në tokë dhe më pas i ra në shkelm. Ndërkohë, njëri prej tyre më goditi me tytën e armës. Ishin të RENEA. Tani unë po shkoj në spital, po më shoqërojnë disa kolegë.
Iu kërkova telefonin, duke iu thënë se jam gazetar, por ata më këputën kartën e gazetarit dhe më morën celularin. Njëri më ra me tytën e automatikut, tjetri me karikator”, deklaroi gazetari Doçi