Hetimet për pasurinë e deputetit Ervin Bushati, PD letër SPAK-ut

Partia Demokratike i ka dërguar një letër SPAK, ku i kërkon sqarime në lidhje me hetimet për deputetin e PS-së, Ervin Bushati.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi deklaroi se para dy vitesh Bushati u denoncua nga selia bli për pasurinë, pasi pretendojnë se ai ka fshehur 7 pasuri të paluajtshme.

Bardhi parashtron disa pyetje, mes të cilave fakti se pse po zvarritet kaq shumë çështja.

Reagimi i Bardhit

Zvarritja e hetimeve si për dekriminalizimimin dhe për zyrtarët e politikanët e korruptuar është një nga shqetësimet kryesore të Partisë Demokratike. Pas kërkesës për zvarritjen e verifikimit për të kaluarën kriminale të dy kryebashkiakëve të Vaut të Dejës dhe te Mallakastrës, Partia Demokratike i kërkoi SPAK-ut arsye përse po zvarrit hetimin e deputetit të PS Ervin Bushati. Aktualisht, ai është promovuar si një nga drejtuesit e fushatës së PS për Tiranën.

PD e kallëzoi atë 2 vjet më parë për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë, por deri tani nuk ka asnjë rezultat. Bëhet fjalë për mosdekalrimin e 7 pasurive të paluajtshme në emër të tij, përfshirë më shumë se 3100 metra2 truall në Tiranë, Qerret dhe Sarandë.

“Mosveprimi nga ana e organit të prokurorisë me këtë çështje është një tjetër tregues që drejtësia shqiptare është e paaftë të sigurojë ndëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë, duke zvarritur hetimet për më shumë se 2 vjet.”- thuhet në letrën e dërguar Drejtuesit të SPAK-ut nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili, 2 vjet më parë, ka bërë kallëzimin kundër deputetit të PS Ervin Bushati.

Me të drejtën që i jep ligji, PD kërkon nha SPAK të ndërmarrë 3 veprime të shpejta:

  1. Informacion në lidhje me gjendjen e procedimit penal për Ervin Bushatin
  2. Datën e regjistrimit të çështjes nga SPAK dhe veprimet hetimore të kryera deri më sot
  3. Informacion mbi arsyet e zvarritjes së hetimit të kësaj çështje.

LETRA E PLOTË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD, GAZMENT BARDHI PËR DREJTUESIN E SPAK, ARBEN KRAJA

I nderuar z. Prokuror,

Më 2 Tetor 2018, Partia Demokratike e Shqipërisë, ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë një kallëzim penal për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 190 dhe 257/a i Kodit Penal, ndaj shtetasit Ervin Bushati, me funksion “deputet i Kuvendit të Shqipërisë”.

Gjatë gjithë periudhës së deklarimit 2014-2018, deputeti Ervin Bushati, rezulton se nuk ka deklaruar 7 pasuri të paluajtshme në emër të tij, duke bërë deklarim të rremë të pasurisë, nëpërmjet mospasqyrtimit në Deklaratat e Pasurisë. Konkretisht, rezulton se ai nuk ka deklaruar pasuritë e paluajtshme si më poshtë:

  1. Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall, në Tiranë, e regjistruar më 21.04.2017.
  2. Një pasuri me sipërfaqe 600 m2 truall, me sipërfaqe ndërtimi 327 m2, në Tiranë, e regjistruar më 21.04.2017.
  3. Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall, në Tiranë, e regjistruar më 25.07.2014.
  4. Një pasuri me sipërfaqe 76 m2, ndërtesë, në Qerret, Kavajë, e regjistruar më 30.05.2016.
  5. Një pasuri me sipërfaqe 376 m2 truall, në Qerret, Kavajë, e regjistruar më 30.05.2016.
  6. Një pasuri me sipërfaqe 660 m2 truall, në Sarandë, e regjistruar më 17.07.2014.
  7. Një garazh me sipërfaqe 42 m2, në Sarandë.

Më datë 30.06.2020, pas një kërkese për informacion nga ana jonë, njoftohemi se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pasi ka regjistruar çështjen penale nr. 2524, datë 01.04.2019, ka shpallur moskompetencën dhe ia ka kaluar aktet Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke qenë se shtetasi Ervin Bushati, është deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe është subjekt hetimi nga SPAK.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 2 vite nga depozitimi i kallëzimit nga ana jonë, dhe rreth 6 muaj që çështja i është përcjell për hetim SPAK, ende organi i prokurorisë nuk ka përfunduar hetimet dhe nuk ka marrë të pandehur deputetin Ervin Bushati për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 190 dhe 257/a i Kodit Penal.

Mosveprimi nga ana e organit të prokurorisë me këtë çështje është një tjetër tregues që drejtësia shqiptare është e paaftë të sigurojë ndëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë, duke zvarritur hetimet për më shumë se 2 vjet.

 

Lexo edhe :   SPAK ia lehtësoi punën patronazhistëve, tani të hetojë krimin

Duke qenë se në cilësinë e kallëzuesit nuk kemi asnjë informacion në lidhje me gjendjen e këtij procedimi penal, dhe faktit se ka kaluar një kohë e gjatë nga fillimi i hetimeve, në mbështetje të nenit 110 të K.Pr.Penale, ku parashikohet se: “Palët dhe përfaqësuesit e tyre kanë të drejtë, në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit, të paraqesin memorie dhe kërkesa me shkrim”,

KËRKOJMË:

  1. Informacion në lidhje me gjendjen e procedimit penal, lidhur me kallëzimin Nr. 13118 të vitit 2018 kundër shtetasit Ervin Bushati, të dërguar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
  2. Datën në të cilën kjo çështje është regjistruar pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe veprimet hetimore që janë kryer nga ai moment e deri më sot nga ana juaj.
  3. Informacion mbi arsyet e zvarritjes së hetimit të kësaj çështje, e cila nuk paraqet asnjë kompleksitet që dikton vonesën 2 vjeçare për të përfunduar hetimet nga ana e organit të prokurorisë.

Mbetemi në pritje të përgjigjes tuaj sipas ligjit.

KALLËZUESI:

GAZMENT BARDHI

Sekretar i Përgjithshëm

Partia Demokratike e Shqipërisë