Ditën e sotme Gjykata e Apelit ka dhënë vendimin për botuesin Henri Çili.
Raportohet se Gjykata e Apelit në Gjirokastër ka lënë në fuqi vendimin “detyrim paraqitje” për Çilin.
Prokuroria e Përmetit kishte apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për të lënë të lirë botuesin Çili.
Por siç raporton “ABC News”, Apeli në Gjirokastër ka rrëzuar pretendimet e prokurorisë për operacionin “Mezhgorani”.
Kujtojmë se pak kohë më parë botuesi Henri Çili u arrestua si i akuzuar për 6 vepra penale, ku më e rënda është ajo e ushtrimit të ndikimit tek gjyqtarët për të liruar Arbion dhe Alban Aliko, dy vëllezërit e dënuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s në Lazarat, Ibrahim Basha.
Vetë Çili i hodhi poshtë këto akuza duke deklaruar se ajo që e lidh atë me këtë çështje është fakti se firma e tij ligjore, në të cilën ai është përfaqësues juridik, do të përfaqësojë të dënuarit në Gjykatën e Lartë.
Ai gjithashtu ka mohuar akuzën se ka ndërhyrë tek përfaqësues të sistemit gjyqësor që çështja të shqyrtohej me përparësi dhe në favor të tij.