Gjenocidi në Kosovë/ Thaçi: Nuk do të ketë amnisti me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se nuk do të ketë një amnisti për gjenocidin dhe krimet e Serbisë.

Thaçi ka bërë sot homazhe tek varrezat në Mejë të Gjakovës, nga ku u shpreh se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Kreu i shtetit tha se shteti serb ka vrarë mbi 10 mijë shqiptarë civilë, ende nuk dihet për fatin e të pagjeturve.

“Ky është një gjenocid i shtetit të Serbisë, për fat të keq ende i pandëshkuar në rrafshin ndërkombëtar dhe nga asnjë drejtësi lokale. Por nuk do të ketë asnjë rrethanë, në asnjë kohë, nga askush amnisti përballë krimit dhe gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë. Nuk ka paqe pa drejtësi dhe do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi bashkërisht me ndërkombëtarët që ky gjenocid dhe këto krime të ndëshkohen prej autoriteteve përkatëse të drejtësisë, lokale dhe ndërkombëtare”, tha ai.