Virusi kinez ka shkaktuar qindra viktima në Kinë dhe janë infektuar mijëra të tjerë.
Më keq është provinca e Wuhanit, ku shpërtheu për herë të parë virusi.
Deri më tani nuk ka shqiptarë të prekur nga ky virus vdekjeprurës.
Situata po përkeqësohet në Kinë, me dhjetëra njerëz që infektohen çdo ditë dhe të tjerë që humbasin jetën.
Rudina Xhunga ka realizuar një intervistë me gazetaren, Zhang Yan nga redaksia e Gjuhës Shqipe e Grupit Mediatik të Kinës (CMG). Yan tregon për “dritare.net” sesi është situata në Kinë momentalisht.
Ja çfarë mesazhi ka ajo për shqiptarët:
“Në radhë të parë, dua të shpreh falënderime të përzemërta për miqtë e mi shqiptarë, që më kanë shprehur mbështetje në këtë moment të vështirë.
Gjatë takimit në Pekin të martën me ministrin e Jashtëm të Kinës Wang Yi, sekretari i përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh se duhet të ruhet gjakftohtësia në gjendjen aktuale dhe se OBSh-ja ka besim të plotë te aftësia e parandalimit të epidemisë nga qeveria kineze.
Tani disa vende kanë dërguar avionë të posaçëm për të tërhequr shtetastit e tyre dhe kanë pakësuar ose ndërprerë fluturimet me Kinën.
Megjithëse nuk e di si do të veprojnë shqiptarët që janë në Kinë konkretisht, dëshiroj të bëj këtë thirrje: në qoftë se sektorët kinezë të karantinës kërkojnë kryerjen e procedurave, si matja e temperaturës apo qëndrimi në karantinë derisa të kalojë periudha e inkubacionit, para largimit, shpresoj se shqiptarët në Kinë do të bashkëpunojnë në mënyrë maksimale, sepse pneumonia e kësaj here nga simptomat i ngjan shumë gripit stinor dhe virusi mund të përhapet edhe kur mbartësit e tij nuk shfaqin ndonjë simptomë.
Kështu që duhet të ruhet vigjilenca. Nëse duan të kthehen në Shqipëri, shpresoj sinqerisht se ata do të kthehen plotësisht të shëndetshme pas mbarimit të procedurave përkatëse, sepse ky është edhe një kontribut për ruajtjen e shëndetit publik në Shqipëri.
Tani në Kinë, qindra milionë njerëz po rrinë brenda shtëpive, ndërsa mijëra punonjës mjekësorë po luftojmë një betejë të vështirë dhe po kapim çdo mundësi për të frenuar përhapjen e virusit. Kjo është mbajtje e premtimit dhe e përgjegjësisë së Kinës për frenimin e epidemisë.
Ashtu siç Shqipëria u përball dhe po përballet me vështirësitë e shkaktuara nga tërmeti, edhe Kina ndodhet tani para një epidemie të rëndë.
Por unë kam besim se të dy popujt do të dinë si t’i përballojnë këto vështirësi dhe do të dalin trimfues në luftën ndaj tyre. Le të shpresojmë dhe të urojmë më të mirën për të dy vendet tona”.
Intervista:
Rudina Xhunga: Si është situata në Pekin?
Zhang Yan: Deri në mëngjesin e së enjtes, në Pekin janë konfirmuar 111 të prekur nga koronavirusi i ri, si edhe një vdekje, dhe u regjistruan njëkohësisht katër të shëruar.
Qytetarët, sipas këshillave të mjekëve, po rrinë në shtëpi për të parandaluar përhapjen e virusit.
Qarkullimi rrugor ndërqytetës e ndërajonal me autobusë është ndërprerë, por transporti publik brenda qytetit dhe stacionet hekurudhore e aeroportet funksionojnë normalisht pas shtimit të pikave të kontrollit të temperaturës dhe dezinfektimit të plotë çdo ditë.
Meqë pushimi njëjavor me rastin e Vitit të Ri Kinez është zgjatur deri në dhjetë ditë, këto ditë nuk ka pasur lëvizje masive dhe në mjetet e transportit publik ka shumë pak udhëtarë.
Megjithatë, jeta vazhdon dhe furnizimi i mallrave të konsumit të përditshëm është garantuar.
Mund të shkojmë për të blerë në supermarket, duke veshur maskë.
Edhe blerja në internet e ushqimeve ose e produkteve të tjera, duke përfshirë edhe ato të kujdesit shëndetësor vazhdon, veçse, për shkak të pushimit, duhet më shumë kohë për mbërritjen e porosive, sepse shumë postierë po kalojnë pushimet me familjet në vendlindjet e tyre.
Me një fjalë, pakësimi i lëvizjeve masive njerëzore është përmasa më efektive për të parandaluar përhapjen e mundshme të virusit. Prandaj, masat e ngjashme po merren në krahina të ndryshme të vendit dhe qyteti Wuhan, së bashku me disa qytete rreth e rrotull tij janë izoluar përkohësisht.
Rudina Xhunga: Si jeni ju dhe si e keni njerëzit e afërm?
Zhang Yan: Unë dhe njerëzit e familjes sime jemi mirë. Për shkak të epidemisë, shumë të njohur të mi kanë anuluar planet e udhëtimeve turistike dhe po qëndrojnë brenda shtëpive këto ditë. Në ndërtesën e radios sonë, janë vendosur edhe pajisjet e kontrollit të temperaturës.
Jemi media dhe duhet të punojmë çdo ditë.
Por, besoj se pas përfundimit të pushimeve të festës, rregulla të ngjashme do të zbatohen edhe për punonjësit e të gjitha institucioneve apo ndërmarrjeve të tjera, për të garantuar sigurinë e shëndetit publik.
Rudina Xhunga: A keni njeri të prekur? Por me zonën e karantinës, a keni komunikim?
Zhang Yan: Deri tani, nuk kam mësuar për ndonjë rast prekjeje nga sëmundja ndër të njohurit e mi, duke përfshirë edhe miq shqiptarë në Kinë.
Shumica e të infektuarve të zbuluar në Pekin kanë qenë në provincën Hubei, kryeqendër e së cilës është Wuhan-i, vendi ku u zbulua rasti i parë i infektimit.
Një pjesë e vogël e të prekurve në Pekin janë ndër ata që kanë pasur kontakte të ngushta me ta.
Në zonën e karantinës, redaksia jonë e gjuhës shqipe nuk ka dërguar gazetarë. Por institucioni ynë, Grupi Mediatik i Kinës, ka dërguar ekipe raportimi atje dhe çdo ditë po bëjnë njoftime në bashkëpunim me mediet vendore.
Nga njoftimet, mund të ndjekim ecurinë e fundit të punës në frontin e parë të luftës ndaj epidemisë, ndërkohë që po marrim gjithashtu informacionet e publikuara nga autoritetet shëndetësore.
Për shembull, CMG-ja ka publikuar linqe për transmetimin e drejtpërdrejtë të ndërtimit të dy spitaleve të posaçme për epideminë në Wuhan.
Mbi 40 milionë përdorues të internetit po ndjekin në internet procesin e ndërtimit të këtyre spitaleve.
Ato do të përfundojnë përkatësisht brenda një jave dhe dhjetë ditëve, duke ofruar mbi 2300 shtretër për pacientët.
Njëkohësisht, 10 mijë shtretër janë liruar nga spitalet e tjera në provincën Hubei për të përballuar çdo situatë të mundshme.
Të gjitha këto janë masa të domosdoshme, sepse mbi 60 % e të prekurve dhe 95 % e të vdekurve janë nga kjo provincë.
Nëse situata në Hubei është nën kontroll, mund të themi se është arritur gjysma e fitores.
Tani edhe qytetet rreth e rrotull Wuhan-it që janë prekur më rëndë nga epidemia janë izoluar, gjë që patjetër do të ketë efekt për frenimin e përhapjes së mëtejshme të virusit.
Rudina Xhunga: A jeni në kontakt me shqiptarët që janë në Kinë?
Zhang Yan: Kolegët e mi kanë shkëmbyer informacione me disa shqiptarë që jetojnë në Kinë. Sipas njohurive që kanë ata, deri tani asnjë shqiptar në Kinë nuk raportohet se ka simptoma të pneumonisë.
Megjithatë, për detaje të mëtejshme, mund të kontaktoni Ambasadën Shqiptare në Pekin, sepse për informacionet lidhur me shtetasit e huaj, Ministria e Jashtme e Kinës ka organizuar konferencë shtypi me përfaqësues diplomatikë të vendeve të ndryshme në Kinë.
Besoj se të gjithë shqiptarët, si shtetasit e tjerë të huaj në Kinë, kanë marrë këshilla ashtu si edhe banorët vendës, për mënyrën e parandalimit të virusit dhe kanë platforma ku mund të marrin informacion ose ndihmë.
Rudina Xhunga: A keni diçka për t’u thënë shqiptarëve?
Zhang Yan: Në radhë të parë, dua të shpreh falënderime të përzemërta për miqtë e mi shqiptarë, që më kanë shprehur mbështetje në këtë moment të vështirë.
Gjatë takimit në Pekin të martën me ministrin e Jashtëm të Kinës Wang Yi, sekretari i përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh se duhet të ruhet gjakftohtësia në gjendjen aktuale dhe se OBSh-ja ka besim të plotë te aftësia e parandalimit të epidemisë nga qeveria kineze.
Tani disa vende kanë dërguar avionë të posaçëm për të tërhequr shtetastit e tyre dhe kanë pakësuar ose ndërprerë fluturimet me Kinën.
Megjithëse nuk e di si do të veprojnë shqiptarët që janë në Kinë konkretisht, dëshiroj të bëj këtë thirrje: në qoftë se sektorët kinezë të karantinës kërkojnë kryerjen e procedurave, si matja e temperaturës apo qëndrimi në karantinë derisa të kalojë periudha e inkubacionit, para largimit, shpresoj se shqiptarët në Kinë do të bashkëpunojnë në mënyrë maksimale, sepse pneumonia e kësaj here nga simptomat i ngjan shumë gripit stinor dhe virusi mund të përhapet edhe kur mbartësit e tij nuk shfaqin ndonjë simptomë.
Kështu që duhet të ruhet vigjilenca.
Nëse duan të kthehen në Shqipëri, shpresoj sinqerisht se ata do të kthehen plotësisht të shëndetshme pas mbarimit të procedurave përkatëse, sepse ky është edhe një kontribut për ruajtjen e shëndetit publik në Shqipëri.
Tani në Kinë, qindra milionë njerëz po rrinë brenda shtëpive, ndërsa mijëra punonjës mjekësorë po luftojmë një betejë të vështirë dhe po kapim çdo mundësi për të frenuar përhapjen e virusit. Kjo është mbajtje e premtimit dhe e përgjegjësisë së Kinës për frenimin e epidemisë.
Ashtu siç Shqipëria u përball dhe po përballet me vështirësitë e shkaktuara nga tërmeti, edhe Kina ndodhet tani para një epidemie të rëndë.
Por unë kam besim se të dy popujt do të dinë si t’i përballojnë këto vështirësi dhe do të dalin triumfues në luftën ndaj tyre. Le të shpresojmë dhe të urojmë më të mirën për të dy vendet tona.