Menjëherë pas deklaratës së kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, se akuzat e presidentit Meta janë një kapriço e tij personale dhe se s’mund të ndalin procesin e integrimit, ka ardhur edhe përgjigjja e Presidencës.
Në një status në Facebook, zëdhënësi Tedi Blushi shkruan me ironi se Balla “e ka festuar tre herë çeljen e negociatave”, megjithëse ato ende nuk janë çelur.
Balla foli sot para mediave për tubimin e thirrur nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, më 2 mars.
Numri dy i PS tha se asnjë politikan apo individ nuk mund të pengojë dhe bllokojë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, pasi sipas tij, e mbështesin 97% e shqiptarëve. E ndërsa Tedi Blushi e paralajmëron se fakte të reja do të dalin, dhe se ka kohë deri në 2 mars që të marë kthesën e radhës.
Statusi
Lum Shqipëria për Tao Taon se ky vetëm për hapjen e negociatave punon.
Ka harruar që e ka festuar tre herë çeljen e negociatave deri tani.
Ka harruar që ngritja e Gjykatës Kushtetuese është kyç për çeljen e tyre.
Po ligjin anti-kushtetues Dvorani pse e miratuat pa pritur Venecian? S’ka nevojë, thotë Tao Tao, sepse pamë disa sugjerime që Venecia u ka dhënë disa vendeve të tjera që kanë Kushtetutë tjetër nga e jona, dhe s’mund të ndalonim ta bënim fakt të kryer ligjin mafioz të rrëmbimit të Gjykatës Kushtetuese.
Po me ish-ambasadorin e nderuar Cutillo që ju lutët të dilte në TV e të vinte në diskutim dekretin e Presidentit si do ia bëni?
Apo s’ka problem se ai iku e s’merr vesh që ju e pretë në besë.
Po me ambasadën e SHBA si do ia bëni, se edhe ajo bëri goxha deklaratë për të thirrur Venecian?
Se ju si proamerikanë të paparë s’lëvizni asnjë presje pa u konsultuar me ta?
Duan të sabotojne ndihmat (borxhet) thotë Tao. Vetëm një PPP e tyre shkon 1 miliardë euro. Edhe 20 miliardë euro borxhe të japë bota, duke rrëmbyer Gjykatën Kushtetuese në mënyrë mafioze nga kjo bandë, asgjë nuk do shkojë në xhepat e shqiptarëve, por në xhepat e tyre dhe të disa kreditorëve.
Ah po, shqiptarët do fitojnë si gjithmonë shumëfishimin e taksave.
Fakte të reja do dalin Tao, dhe ti ke kohë deri në 2 mars të marrësh kthesën e radhës, siç e merr gjithmonë.