Nga Judy Dempsey, “Carnegie Europe”/Evropianët kanë aftësinë e deduktimit të një ngjarjeje, dhe duke e bërë atë një tendencë. Kështu ndodhi me zgjedhjen majin e shkuar të Emmanuel Macron.
Zgjedhja e Macron
Si presidenti i ri i Francës, Macron e bazoi fushatën e tij mbi Evropën, dhe në reformën e brendshme. Në këtë mënyrë, ai i mposhti thellësisht rivalët e tij, dhe udhëheqësen e Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.
Shumica e udhëheqësve evropianë nxituan të lavdërojnë Macron. Për ta, fitorja e tij do të thoshte se populizmi ishte në tërheqje.
Evropa ishte “rikthyer në rrugën e duhur”. Por politikat radikale të Macron, për të nxitur integrimin e mëtejshëm të eurozonës, dhe entuziazmi i tij për të pasur parti politike evropiane, nuk është pranuar ende gjerësisht.
Angela Merkel, aleatja më e rëndësishme e Francës, qe shumë e ngadaltë në përgjigjen e saj ndaj propozimeve të Macron. Kancelarja gjermane, ishte e zënë me zgjedhjet federale, që e lanë bllokun e saj konservator seriozisht të dobësuar. Merkel, po përpiqet tashmë të bëjë bashkë një koalicion tjetër të madh me socialdemokratët, po aq të dobësuar.
Në 2018, një qeveri e re gjermane
Nëse Evropa është me fat, mund të kemi një qeveri të re gjermane deri në marsin e vitit 2018. Kjo është edhe koha kur Merkel dhe Macron, planifikojnë të paraqesin idetë e tyre për integrimin e mëtejshëm në BE. Ndërkohë, në vitin 2017, populizmi në të gjitha llojet dhe sjelljet e tij të këqija u rikthye në fuqi, jo pa ndihmën e mediave sociale.
Brexit
Në Britani, ndërsa kryeministrja Theresa May përpiqej të bënte përparime me negociatat e Brexit, narracioni politik në Mbretërinë e Bashkuar, degjeneroi në kërcënime me vdekje ndaj konservatorëve që vinin në dyshim vendimin për largimin nga Bashkimi Evropian.
Me ndihmën e mediave sociale dhe shtypit tabloid, Brexit krijoi një formë sarkastike dhe të rrezikshme të anti-evropianitetit. Me pak përjashtime, u refuzua një diskurs i bazuar tek mirësjellja dhe toleranca. Por Britania nuk qe e vetme. Media miqësore apo e kontrolluar nga qeveria në Hungari, ka injektuar politikën e frikës dhe ksenofobisë në të gjithë vendin.
Viktor Orban dhe George Soros
Partia e Fidesz e kryeministrit Viktor Orban, ka shënjestruar një njeri: George Soros. Filantropi miliarder, me origjinë hungareze dhe hebraike, ka mbështetur vazhdimisht aktivistët e shoqërisë civile gjatë epokës komuniste dhe pas saj. Soros portretizohet si mishërim i Djallit, njeriu që do ta pushtojë Evropën me myslimanët, dhe do të shkatërrojë Krishterimin.
Është tronditëse të shohësh fytyrën e Soros në dyshemenë e trenave të metrosë, ndërsa njerëzit shkelin mbi të. Heshtja e BE-së rreth demonizimit të Soros dhe antisemitizmi i nënkuptuar, ka qenë e turpshme.
I riu Sebastian Kurz në krye të Austrisë
Në Vjenë, kancelari i ri konservator, Sebastian Kurz, ka formuar një koalicion me Partinë e Lirisë të së djathtës ekstreme dhe kundër emigracionit, e cila sipas marrëveshjes do të mbajë postet e rëndësishme të Ministrit të Brendshëm, të Mbrojtjes dhe të Jashtëm të Austrisë.
Cenimi i lirisë së mediave në Poloni
Më lart në Poloni, partia qeverisëse nacionaliste-konservatore Ligj dhe Drejtësi, ka dhunuar pavarësinë e mediave dhe gjyqësorit. Më 20 dhjetor, Komisioni Evropian nisi procedurat kundër Polonisë, për shkeljen e vlerave të përbashkëta evropiane dhe sundimin e ligjit, gjë që mund të çojë në sanksione dhe në pezullimin e të drejtës së votës në BE.
Cilido qoftë rezultati, shoqëria polake tanimë është e polarizuar. Hapësira për qendrën është ngushtuar.
Katalonja
Spanja gjithashtu është e ndarë mbi statusin e ardhshëm të Katalonjës. Pjesa më e madhe e shtypit cilësor, e ka humbur çfarëdolloj ndjenje të paanshmërisë. Prisni edhe pak, deri sa të fillojë fushata zgjedhore italiane, përpara zgjedhjeve të majit të ardhshëm.
Populizmi edhe në 2018
Këto prirje në të gjithë Evropën, kanë rëndësi jo për shkak se ato do të vazhdojnë edhe në vitin 2018. Ata kanë rëndësi, pasi informacioni, narrativët dhe diskurset janë duke u drejtuar gjithnjë e më shumë nga mediat sociale dhe populistët.
Është e lehtë të fajësosh gjigantët e mëdhenj të teknologjisë Facebook, Google, Twitter dhe YouTube, pasi u vlerësuan për ndihmën e dhënë në mobilizimin e shoqërisë civile gjatë Pranverës Arabe të vitit 2011.
Por që atëherë, duke lënë mënjanë faktin se si Rusia, Turqia, Kina dhe Mianmari i kanë përdorur mediat sociale për të kontrolluar apo ndikuar qytetarët e saj – revolucioni digjital tani është në konkurrencë me (dhe në fakt edhe më i përparuar) format tradicionale të shtetarisë dhe qeverisjes perëndimore, informacionit dhe diplomacisë.
Revolucioni digjital vs politikës
Revolucioni digjital, po e sfidon politikën konvencionale, pasi gjendet jashtë arenës tradicionale politike. Megjithatë, qeveritë perëndimore kanë qenë të ngadalta në përgjigjen që po i japin këtij lloji të ri të politikës së mediave sociale.
Donald Trump dhe ndërhyrja ruse në zgjedhjet presidenciale
Strategjia e parë e Sigurisë Kombëtare e Presidentit Donald Trump (NSS), e lë të nënkuptohet në këtë sfidë. Në kapitullin mbi diplomacinë dhe shtetarinë, thuhej se “konkurrentët e Amerikës e përdorin informacionin si një armë për të sulmuar vlerat dhe institucionet që mbështesin shoqëritë e lira, duke mbrojtur veten nga informacionet e jashtme”.
NSS shtonte “Ata shfrytëzojnë teknikat e marketingut për të shënjestruar individët bazuar në aktivitetet, interesat, mendimet dhe vlerat e tyre. Ata përhapin dezinformaacione dhe propagandë”.
Pati dhe një referencë të hapur ndaj Rusisë: “Rusia përdor operacionet e informacionit, si pjesë e përpjekjeve të saj sulmuese kibernetike, për të ndikuar opinionin publik në të gjithë globin… dhe personat që mashtrojnë online në mediat e financuara nga shteti, ndërmjetës të palëve të treta dhe përdoruesve të paguar të mediave sociale”.
Dhe kjo nga një president, që e ka mohuar ndërhyrjen ruse në politikën e brendshme amerikane.
Disa vende evropiane, po fillojnë dalëngadalë të kuptojnë fuqinë e mediave sociale për përhapjen e dezinformatave, frikës dhe urrejtjes.
Ekipi i fushatës zgjedhore të Macron, gjurmoi me shpejtësi ndërhyrjen ruse. Në Gjermani, kompanitë e mediave sociale po përballen tani me gjoba deri në 50 milionë euro, në rast se nuk arrijnë të heqin përmbajtjen e paligjshme nga vendet e tyre.
Sfidat për 2018-n
Si një e tërë, institucionet dhe qeveritë e vendeve të BE-së, po bëjnë shumë pak për të sfiduar aspektet politike, sociale dhe ekonomike të revolucionit digjital.
NSS sugjeroi se sektori privat, i cili siguron kryesisht platformat e mediave sociale, “duhet t’ia kushtojë kreativitetin dhe burimet e tij promovimit të vlerave që frymëzojnë dhe rritin një komunitet të grupeve dhe individëve të civilizuar”.
Ashtu sikurse e parathotë edhe viti 2018, është koha që qeveritë evropiane të kuptojnë se digjitalizimi ka fuqinë për të forcuar ose minuar vlerat liberale demokratike të Perëndimit. Rreziqet janë bërë shumë të mëdha.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce