Nga: Klodian Tomorri
Fatmirësisht Shqipëria dhe gjithë Europa patën dy muaj kohë për t’u përgatitur për koronavirusin. Fatkeqësisht Europa dhe Shqipëria dështuan të ndalnin epideminë.
Ky është një moment i vështirë për të gjithë, por jo pa zgjidhje. Shembulli se si bota mund të triumfojë mbi koronavirusin, vjen nga vatra ku ai shpërtheu, Kina dhe Korea. Dhe të dy këto modele suksesi kanë një të përbashkët, parandalimin.
Në Kinë, epidemia u vu nën kontroll dhe tani rastet e reja po shkojnë drejt zeros. Modeli i suksesit kinez është dora e hekurt, që forcoi karantinë më të madhe në historine e njerëzimit.
Edhe sot, instrumenti më i mirë që ka njerëzimi për të parandaluar epidemitë masive, mbetet ai i cili ka ekzistuar që nga mesjeta, pra karantina. Dhe Kina e dëshmoi se karantinat funksionojnë gjithmonë.
Modeli i dyte i suksesit eshte Korea e Jugut, nje tjetër vend i cili po e ve me sukses nën kontroll epideminë. Modeli korean eshte ai i testimit me shpejtesi te pacienteve permes medotave inovative. Sa me shpejt zbulohen te infektuarit, aq me shume mundesi ka te ndalet zinxhiri i infektimit.
Qeveria koreane nxorri grupet mjekësore të testonin pacientët në rrugë. Deri tani, Korea e Jugut ka kryer mbi 200 mijë testime për koronavirus, dhe falë kësaj arritën të zbulojnë dhe izolojnë në kohë të infektuarit, duke ngadalësuar perhapjen e epidemisë.
Emergjencat e shëndetit publik kërkojnë qeverisje me dorë të hekurt. Shëndeti i popullatës nuk mund të lihet në mëshirën e karantinave vullnetare, siç eksperimentoi qeveria shqiptare dhe ato të Europës.
Qeveria duhet të forcojë urgjentisht masat ndëshkuese. Thyerja e karantinës duhet të jetë vepër penale, e cila të dënohet automatikisht me burg. Dënimi me gjobë i dikujt që kërcënon shëndetin e mijëra të tjerëve është çmenduri.
Bizneset qe kane numër të madh punonjësish, duhen detyruar me ligj t’i shpërndajne ata dhe të shfrytezojnë punën nga shtëpia. Grumbullimet e njerëzve duhen ndaluar me ligj, ndërsa zërat e injorancës, që relativizojne epideminë duhen refuzuar dhe madje dënuar, sepse i bëjnë qytetarët që te mos marrin masat e duhura. Kjo ishte ajo që ndodhi në Itali.
Paralelisht duhet të shikohet mundësia që një pjesë e punonjësve shtetërore, të paktën ato që nuk lidhen me aktivitetet e emergjencës, të lihen pushim.
Ministria e Shëndetësisë duhet të jetë më agresive në testimin e pacientëve, pavarësisht kostove. Ne emergjencat e shëndetësore, buxheti shkon automatikisht në funksion të mbrojtjes së shëndetit të popullatës.
Qeverisja me dorë të hekurt është dhe rruga më e mirë për të mos lejuar panik. Kur qytetarët shohin se shteti po vepron me vendosmëri, për të vënë nen kontroll situatën, ndihen më të sigurtë. Dhe nuk i dorëzohen panikut. Paniku nuk përmbahet, duke zbukuruar të vërtetën. Perkundrazi, fshehja apo zbukurimi i te vërtetës dhe relativizimi i saj krijon efektin e kundërt.