Një 53-vjeçar është arrestuar ditën e sotme nga Policia e Durrësit. Bëhet fjalë për shtetasin Skënder Baku, banues në Luz, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasje.
Skënder Baku është dënuar me 35 vite burg për vrasjen e Lulëzim Sherës në vitin 2013. Ky i fundit, në vitin 1992, pas një konflikti në burgun 313, ku ndodhej, ka vrarë me sende të forta Arjan Bakun, vëllain e 53-vjeçarit që u arrestua sot.
Ky shtetas më datë 01.09.2013 në qytetin e Fushë Krujës ka vrarë me armë zjarri shtetasin L.Sh.
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të dënuar për vrasje, kanë zhvilluar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Revenge”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim:
Skënder Baku, 53 vjeç, banues në Luz, Fushë Krujë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.