Shqipëria po përjeton një situatë kaotike. Duket se as sizmologët nuk e shpjegojnë dot çudinë e asaj që po ndodh në Shqipëri. Një nga sizmologët e njohur grekë, Ethimi Lekkas, i cili ka qenë në vendin tonë në zonat e prekura më rëndë nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, e ka cilësuar si një situatë të pazakontë, dhe një përmbysje të rregullave.
Duke folur për televizionin SKAI, ai thotë se kishin menduar se tërmeti i shtatorit ishte kryesorë, por nuk rezultoi kështu. Ethimi Lekkas i cili është njëherësh edhe president i Organizatës së Planifikimit dhe Mbrojtjes nga Tërmetet, ka deklaruar se aktualisht kemi me dhjetëra goditje mbi 4 ballë.
“Kemi dhjetëra goditje mbi 4 ballë. Kishim një mbi 5.5 ballë. Kishte një tërmet 5.6 ballë në shtator, dhe menduam se ishte tërmeti kryesor. Por sekuenca është e pazakontë”, thotë ai. Duke sqaruar se në kushte te tilla, është shumë e vështirë të bësh parashikime.
Referuar sekuencës sizmike në zonë, Lekkas foli për një “fenomen të veçantë”, që do të thotë se është shumë e vështirë të bësh parashikime dhe vlerësime.
Ai foli për ndërtime të rrënuara tërësisht në zonë, dhe theksoi se në asnjë rrethanë, banorët nuk mund të qëndrojnë në banesat e tyre.