Sikundër paralajmëroi një ditë më parë në konferencën për media, Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Temë e diskutimit ishin sfidat aktuale të përballimit të pandemisë COVID-19.
Manastirliu e informoi presidentin Meta se në zbatim të strategjisë së hartuar dhe propozimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve, janë marrë masat për sigurimin e mjeteve të mbrojtjes personale, rritjen e kapaciteteve të testimeve, kapaciteteve spitalore dhe burimeve njerëzore.
“Strategjia që po ndjekim, ka nevojë për bashkëpunimin e qytetarëve për të përballuar situatën e shkaktuar si pasojë e COVID-19. Vetëm nëpërmjet zbatimit të masave dhe protokolleve, nëpërmjet shembullit personal, do të mundemi t’ia dalim së bashku, edhe në këtë fazë të pandemisë”, tha ministrja Manastirliu.
Kreu i Shtetit pasi e siguroi ministren për solidaritetin dhe mbështetjen e tij të plotë për institucionet shëndetësore, shprehu falenderim dhe mirënjohje për të gjithë mjekët, infermierët dhe personelin mbështetës që janë duke shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal në vijën e parë të frontit.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë e mbështetjes së sektorit të shëndetësisë, me buxhetin e duhur, si dhe nevojën e rritjes së masave mbrojtëse për mjekët.
Kreu i Shtetit apeloi rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për respektimin e udhëzimeve të bëra publike, për ruajtjen e distancave fizike dhe mbajtjes së maskave, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit të ri turistik.
Në këtë kuadër, presidenti Meta dhe ministrja Manastirliu theksuan domosdoshmërinë e vijimit të koordinimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit nënvizoi nevojën e forcimit të bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha vendet fqinje për marrjen e masave, për parandalimin dhe përhapjen e mëtejshme të COVID-19, me qëllim rihapjen sa më parë të kufijve tokësorë.
Presidenti Meta dhe ministrja Manastirliu theksuan se “është me rëndësi jetike rritja e efikasitetit të masave mbrojtëse, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët duhet të jetë vetëm mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare”.