E diel, 28 Nëntor, 2021
13.5 C
Tirana

Dy fitore që çojnë në humbje

Nga: Blendi Kajsiu

Që fitorja e fushatës Berisha është humbje e madhe për PD-në, kjo tashmë është e qartë edhe për vetë doktorin. Ai e di se kthimi i tij në krye të PD-së, vetë apo nëpërmjet një tjetër Luli, nuk e zgjidh as ngërçin e tij personal dhe as ngërçin politik të PD-së. Berisha e di mirë që e ka të pamundur të gjejë një tjetër Lul po aq besnik saç ka qenë Basha. Nëse ky i fundit e tradhtoi përpara presionit amerikan, nuk ka asnjë garanci që delfini tjetër nuk do bëjë të njëjtën gjë, herët a vonë. Ama, kësaj radhe, doktori do e kish të pamundur të fillonte një tjetër foltore në bazë.

Pikërisht për këtë arsye, lëvizja e tij është krejtësisht e paqartë. Nuk dimë ende se çfarë po kërkon konkretisht; votëbesimin e Bashës, zëvendësimin e tij me një tjetër, rikthimin në krye të PD-së apo referendum për rifutjen në grupin parlamentar. Konfuzioni është pasojë e faktit të thjeshtë se suksesi i lëvizjes Berisha është humbje jo vetëm për PD-në, por edhe për të personalisht.

E njëjta gjë është e vërtetë edhe për strategjinë e strucit që ka zgjedhur Basha. Fitorja e Bashës pa u përballur me Berishën zvogëlon jo vetëm PD-në, por redukton edhe më tej staturën politike të vetë Bashës.

Basha e di mirë se Berisha është i destinuar të dështojë, se rikthimi i tij në krye të PDsë nuk është alternativë. Ndaj e vetmja gjë që ai duhet të bëjë është të qëndrojë në krye të PD-së, derisa Berisha të largohet me grupin e tij, apo derisa Zoti ta fusë në listën ku përfundojmë të gjithë, që është edhe më e pakontestueshme se ajo e Departamentit të Shtetit Amerikan.

Ndaj, ai ka zgjedhur t’u thotë demokratëve “s’keni ku të shkoni, tek unë do përfundoni!”. Refuzimi për t’u takuar me bazën, apo për të mbledhur Kuvendin, apo për çfarëdo diskutimi të hapur është dëshmi e qartë e kësaj strategjie imponuese që nuk i ofron anëtarësisë zgjedhje.

Është e njëjta logjikë që iu ofrua shqiptarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare. Mesazhi themelor i opozitës ishte identik: “Doni, s’doni, ne do na votoni”. Rama është shumë i korruptuar dhe arrogant, me qeverisjen e tij jeni të pakënaqur, ai u bë tetë vite në pushtet dhe është konsumuar. E thënë ndryshe, opozita e djeshme u thoshte shqiptarëve “na ka ardhur radha të vijmë në pushtet sepse nuk keni alternativë tjetër”. Ironikisht ishte e njëjta opozitë, bashkë me pushtetin, që garanton eliminimin e lindjes së alternativave politike duke mbajtur fort një sistem politik bipolar.

Sot, Basha po u thotë demokratëve “është radha ime të jem kryetar real i PD-së, sepse nuk keni alternativë”. Ironikisht është po Basha që me rizgjedhjen e tij si kryetar, me refuzimin për diskutim me bazën, dhe me refuzimin për të mbledhur Kuvendin, eliminon daljen e një lidershipi të ri për PD-në, që mund të ishte qoftë një Bashë i rishpikur, qoftë dikush tjetër.

Nëse dje Basha nuk u shpjegonte shqiptarëve se përse ai ishte më i mirë se Rama, sot nuk u shpjegon demokratëve se përse ai është më i mirë se Berisha. Madje, sot ai as nuk po u thotë demokratëve se përse Berisha është i keq. Në fakt, Basha as nuk është distancuar nga doktori dhe aq më pak nga fenomeni politik që ai përfaqëson.

Si pasojë e kësaj strategjie, Basha po kthehet çdo ditë e më shumë në një kopje të shëmtuar të Berishës. Akti politik i largimit të doktorit nga grupi parlamentar në vend që ta transformonte nga kryetar në udhëheqës, po dëshmon gjithnjë e më shumë se Basha nuk ka stofin e liderit.

Së pari, largimi i Berishës nga grupi parlamentar në mënyrë personale dhe pa miratimin as të kryesisë (që Basha e ka zgjedhur vetë) është një vendim politik nën standardin Berisha. Ky i fundit, kur vendoste të largonte dikë nga grupi parlamentar, masën disiplinore e miratonte në kryesi, siç e kërkon statuti dhe siç ndodhi në rastin e Ngjelës.

Së dyti, kur Berisha largonte dikë nga PD-ja, gjithnjë prodhonte një arsyetim politik, që, ndonëse i rremë, të paktën ishte koherent. Kështu, ai demonizonte kundërshtarët politikë si komunistë, të shitur apo të blerë, të kapur apo të korruptuar, por gjithnjë kishte një justifikim politik për përjashtimin e tyre. Pra, logjika ishte “përjashtohet se është tradhtar/i korruptuar/komunist/çimkë/etj.”

Në rastin e përjashtimit të Berishës, argumenti i Bashës ishte dhe mbetet inkoherent dhe pa logjikë politike. Nga një anë ai u thotë demokratëve se Berisha është i ndershëm dhe i pafajshëm, se nuk duhet të ishte në listën e SHBA, se atij i është bërë një padrejtësi nga Sorosi dhe Rama, dhe se ai e do shumë doktorin. Nga ana tjetër vendos ta largojë nga grupi parlamentar.

Me këtë arsyetim nuk është çudi që demokratët mendojnë që është mashtrues dhe pa karakter. Nëse Berishës i është bërë një padrejtësi nëpërmjet lobingjeve të pista, Basha ka detyrim ta mbrojë dhe jo ta lëshojë si limon të shtrydhur. Nëse ai nuk mbron dot Berishën përballë lobingjeve të Ramës, si do mbrojë demokratët e thjeshtë apo interesat e qytetarëve?

Lexo edhe :   Një demagog i pandreqshëm, i paaftë, mëkatar dhe ende i rrezikshëm

Ndaj është detyrim i Bashës t’u shpjegojë demokratëve në takime në bazë se Berisha është në listën non grata për korrupsion dhe pengim të demokracisë. Se këtë listë e bën Departamenti i Shtetit dhe jo Edi Rama. Se Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, nuk është vartës i Edi Ramës. Se mbajtja e Berishës në grup parlamentar nënkupton konflikt me SHBA-të dhe inkoherencë politike për PD-në, nënkupton futjen e Tom Doshit në Parlament.

Basha ka për detyrë të sqarojë demokratët se për korrupsionin atomik të familjes Berisha në Gërdec është bërë film nga Hollyëood ku luan Bradly Cooper, që është ylli i kinemasë hollivudiane sot. Se ai skandali cenoi rëndë sigurinë kombëtare të SHBA-ve, sepse ushtrisë afgane që luftonte talebanët i shiteshin fishekë të skaduar nga djali i Kryeministrit tonë.

Lexo edhe :   Aksident i qëllimshëm ndaj ish-kryeministrit Berisha? Ja ç’thotë truproja

Të gjitha këto sqarime të dhimbshme duhet të shërbenin edhe për një katarsis të opozitës për t’u distancuar nga shumë fenomene negative të qeverisjes së saj, jo vetëm Gërdeci dhe 21 janari, por edhe privatizimet skandaloze të KESH apo të ARMOS, që përfunduan në duart e bizneseve pranë familjes Berisha. Ky distancim do ishte hapi i parë i transformimit të PD-së në një alternativë qeverisëse për vitin 2025.

Edhe këtu, Basha është nën nivelin e Berishës. E vetmja kritikë që ai i ka bërë qeverisjes së PD-së është llumi i korrupsionit të disa drejtorëve që tashmë janë me Berishën. Është shumë larg autokritikës që Berisha bëri në vitin 2005 rreth qeverisjes së tij 1992-1996. Mjafton të kujtojmë që në fushatën e 2005 ku bënte pjesë Basha u bë një autokritikë e fortë e qeverisjes së parë të Berishës, e autoritarizmit të saj, e dhunës së ushtruar kundër opozitës, e tolerimit të piramidave, etj.

Por Basha është poshtë nivelit berishist edhe për gënjeshtrat që thotë. Dhe gënjeshtrat berishiste kanë qenë gjithnjë spektakolare. Lista është e gjatë, por mjafton të kujtojmë deklaratën e Berishës në 1998 se Azem Hajdarin e vrau Fatos Nano, denoncimin e grushtit të shtetit pas vrasjeve të 21 janarit në vitin 2021, apo deklaratën se protestuesit e 21 janarit ishin vrarë me çadrapistoleta.

Ndaj në politikën shqiptare të thuash gënjeshtra më të pabesueshme se ato që ka prodhuar Berisha është e vështirë. E megjithatë, këtu Basha ia kalon babait të tij politik. Deklarata e tij se nuk del në bazë sepse e ka shumë të lehtë të mundë Berishën, është një nga ato gënjeshtra që nuk e besojnë dot as mbështetësit e tij. Pra, Basha jo vetëm që nuk u thotë dot disa të vërteta themelore demokratëve, por nuk ka as aftësinë t’i gënjejë sot po aq bindshëm sa Berisha.

Ironia është se Bashës nuk i duhet 95% e anëtarësisë (sikurse deklaroi se e kishte me vete, në një tjetër gënjeshtër fëminore) për të mundur Berishën, i duhet vetëm gjysma e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar që në shumicë i ka zgjedhur po ai vetë. Dhe nëse ai nuk bind as gjysmën e anëtarësisë së PD-së, apo të Kuvendit të saj Kombëtar, se PD-ja nuk mund të jetë kundër SHBA-ve, se SHBAtë nuk i kontrollon Edi Rama, se Berisha është akuzuar për korrupsion nga SHBAtë, atëherë ai nuk duhet të jetë kryetar i PD-së.

Mesazhi që Basha po u transmeton si anëtarëve të PD-së edhe shoqërisë është se ai ka frikë të përballet me Berishën. Ama, nëse Basha me mbështetjen e SHBAve dhe të shumicës së opinionit publik, nuk mund dot sot një Berishë të plakur, që i është futur një beteje që s’mund ta fitojë, atëherë si do t’ia dalë nesër të mundë Edi Ramën apo Erjon Veliajn, që përveç elektoratit socialist kanë pas media, biznese dhe ambasadorë?

Ndaj nëse Basha do t’i marrë partinë Berishës, ai duhet ta mundë atë me argumente, në diskutim dhe debat të hapur dhe me votë. Respektin dhe bindjen e anëtarësisë dhe berishistëve në PD ai e fiton vetëm nëse “u vret” atyre liderin, nëse rishpik vetveten dhe PD-në përtej një kopje të shëmtuar berishiste. Tentativa për ta mbajtur PD-në peng pa debat, pa forume dhe pa votim është më e ulët se pengmarrja që Berisha i bëri PD-së për 30 vite rresht, që gjithsesi u arrit me votë.

Ndaj përballja me Berishën ishte dhe mbetet momenti i katarsis për PD-në dhe një shans historik për Bashën që ta rishpikë veten si lider dhe PD-në si alternativë qeverisëse. Ai duhet ta kërkonte betejën me Berishën edhe nëse ky fundit do t’i shmangej asaj. Një fitore, pa u përballur me berishizmin, zvogëlon më tej si Bashën edhe PD-në. /Panorama.al

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Masakrimi i masakrës

Nga: Luçiano Boçi  Kur ndodh një krim, gjëja kryesore që bëjnë autorët është djegia e mjeteve me të cilat kryhet krimi. Pra asgjësohet vetë krimi....

I ndaloi keçapin lojtarëve, kompania nuk ia përton Antonio Kontes

Emërimi i Antonio Kontes në krye të Totenhemit, solli ndryshime në klub. Tekniku i dha një vemendje të veçantë ushqimeve që konsumonin lojtarët, të...

FORMULA 1/ Presidenti ‘tradhton’ Shumakerin: S’është më i miri i historisë

Presidenti i FIA-s i ka befasuar të gjithë, duke mos e kurorëzuar si më të mirin ish-pilotin e tij në kohën e Ferrarit. Zhan...

Skandali me pagesat e UEFA-s, FSHF publikon “provat” e gabuara

Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë sot me një tjetër qëndrim zyrtar rreth çështjes së skandalit të shpërndarjes së fondeve të UEFA-s, në mënyrë...

Kreu zbulime që e revolucionarizuan shkencën: Kush ishte Galileo Galilei

Në cilësinë e ”babait” themelues në fushën e fizikës dhe astronomisë, Galileo Galilei është i njohur për kontribute të panumërta në shkencë. Mendimtari italian,...