Ish-kreu i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Dibër, është vënë në pranga për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Ai ishte shpallur në kërkim nga policia në kuadër të operacionit të koduar “Inspektorati”.
Nga shërbimet e Policisë së Dibrës, u bë ndalimi i shtetasit Ermal Xhaka, 37-vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë ish-kryeinspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Dibër, i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.
Njoftimi:
Në vijim të operacionit policor të koduar “Inspektorati”, ku një ditë më parë u ndaluan 4 shtetas dhe u proceduan penalisht 3 të tjerë për veprën penale “Shpërdorim Detyre”, nga shërbimet e Policisë së Dibrës u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim policor E.Xhaka, 37 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë ish-kryeinspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër, i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qenë me detyrë të ngarkuar për inspektimin, monitorimin dhe kontrollin e territorit në juridiksionin e bashkisë Dibër, nuk kanë ushtruar kontrollin konform ligjit dhe kanë përpiluar akte administrative fiktive në lidhje me kontrollet e zhvilluara, duke lejuar shfrytëzimin e një hapësire publike në pronësi të bashkisë Dibër, për të kryer ndërtim të paligjshëm në emër dhe për llogari të përfituesve, shtetasve Sh. B. dhe B. B.