Dha dorëheqjen/Cakaj shpjegon pse u largua nga posti i ministrit të Jashtëm

Kryeministri Edi Rama ka bërë dy ndryshime të tjera në qeveri. Ai njoftoi se do të largohet nga detyra e ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj dhe vendin e tij do ta zerë, Olta Xhaçka, e cila mbante postin e ministres së Mbrojtjes. Rama ka rikthyer në qeveri Niko Peleshin, i cili do të mbajë postin e ministrit të Mbrojtjes.

Lidhur me këtë vendim, një reagim ka ardhur nga Gent Cakaj. Ai ka shpjeguar pse ndërmori një akt të tillë. Ai thotë se sot i ka paraqitur kryeministrit Rama dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Gent Cakaj rikujton faktin se Shqipëria është në prag fushate zgjedhore, ku nënvizon se nuk synon të angazhohet si kandidat për deputet. E për rrjedhojë, konsideron që kapitulli i shërbimit në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar.

Statusi

Të nderuar qytetarë,

Dëshiroj të ju njoftoj që sot, e martë, 29 dhjetor 2020, i kam paraqitur Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Pas përfundimit me shumë sukses të kryesisë së OSBE-së, hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, punës së jashtëzakonshme për të siguruar një ulëse në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023, zbatimit të një sërë masash të pashembullta për ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem si kandidat për deputet, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar.

Lexo edhe :   Perëndia Rama?

Dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim ndaj Kryeministrit Rama, për besimin e dhënë dhe bashkëpunimin e ngushtë në rrethana jo të lehta për Shqipërinë. Po ashtu, u jam shumë mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve dhe stafit të MEPJ, për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin e përbashkët, për të ndërtuar një sistem diplomatik të denjë për ambiciet e Shqipërisë evropiane dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit qytetar e kombëtar.

Në mbyllje, nënvizoj, mes tjerash, se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim.

Faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithëve për mbështetjen, kritikat e punën e përbashkët! E keni për jetë mirënjohjen time – shërbimi ndaj jush ka qenë nderi më i madh i jetës sime!