Për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë do të vendosë Gjykata e Hagës. Vendimi në fjalë u mor sot në takimin që zhvilloi ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias me kryeministrin Edi Rama në Tiranë. Sa i takon kësaj çështje, konstitucionalisti Shkëlqim Hajdari thotë se nuk kishte rrugë tjetër mes Greqisë dhe Shqipërisë për çështjen e detit, përveçse ta dërgojë atë në Gjykatën e Hagës.
“Ska zgjidhje tjetër, marrëveshja e gabuar e 2009 çon në këtë vendim. Sepse Greqia do të qëndrojë te ajo marrëveshje të 2009.
Sepse pala greke nuk pranon një negociim tjetër. Grekët e kanë quajtur një marrëveshje të mirë atë të 2009. Tani ka vetëm diskutime. Greqia ashtu si çdo vend serioz, pavarësisht se lëviz, pra ka rrotacione politike nuk lëviz shumë.
Me atë që bëmë në 2009, ne krijuam një precedent të rrezikshëm. Mirë Greqia por edhe aktorët në Shqipëri vazhdojnë të mbrojnë marrëveshjen e 2009, kjo është e pallogjikshme. Njeriu edhe gabon, sepse marrëveshja është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Duke bërë një analizë të thjeshtë politike dhe teknike, kjo çështje do të shkojë në Gjykatën e Hagës”, tha ai në emisionin Repolitix.