Detaje të reja kanë dalë në dritë sa i takon ekzekutimit të efektivit të FNSH-së Xhulio Prela. Grupi hetimor i ngritur për vrasjen e efektivit, është i bindur se i riu nuk kishte probleme personale.
Duke parë rrjedhën e ngjarjes, ata janë të bindur se ishte një atentat i mirëorganizuar. Dyshimet kryesore janë se i riu është vrarë për shkak të detyrës. Xhulio Prela ishte i ri në radhët e policisë së Shtetit, dhe nuk ka pasur probleme me ligjin apo me persona të tjerë jashtë punës.
Autorët e kanë ndjekur Prelën për disa orë, dhe pas ekzekutimit makina tip “Volkwagen” ka ecur rreth 500 m dhe më pas ka dalë jashtë rruge, duke përfunduar në një parcelë aty pranë.
I riu ndodhej në Tiranë, në zonën e Aeroportit të Rinasit, ku ka zhvilluar një takim. Në kthim atij i është prerë rruga nga autorët, të cilët ndodheshin në një automjet tjetër. Ata e kanë qëlluar disa herë, ndërsa deri më tani në vendngjarje janë gjetur tri gëzhoja. Autorët më pas janë larguar në një kamion me ngjyrë të verdhë, targat e të cilit janë identifikuar nga policia.