Sjellja e gabuar për dy peshq zgare, i ka kushtuar shtrenjtë kushëririt të ish-deputetit të Himarës. Koço Kokëdhima.
Mihal Kokëdhima, tashmë ndodhet në burgun e Vlorës, ndërkohë ka humbur gjithçka që kishte krijuar në mënyrë të paligjshme dhe që fitonte goxha para. Restoranti, lokali, hoteli dhe plazhi i virgjër që kishte zaptuar në Porto Palermo, janë shkatërruar pas gjithë asaj që ndodhi me familjen spanjolle të biznesmenit Eugenio Galdon që kishte mbërritur në Shqipëri për turizëm.
Dhe për çfarë, vetëm për komunikimin e gabuar dhe sjelljen në kufijtë e çmendurisë së Mihal Kokëdhimës, djalit të tij dhe grupit të kamerierëve që ai mbante në punë.
Sot “Shqiptarja.com” ka mundur të sigurojë ekskluzivisht dosjen e prokurorisë së Vlorës, duke zbardhur të gjitha dëshmitë e personave protagonistë në këtë krim të shëmtuar dhe aspak të denjë për mikpritjen shqiptare.
“…Ne u ulëm duke pritur për një tavolinë dhe duke parë pamjen. 15 minuta më pas, shoqëruesi na tha se kishim një tavolinë për 7 persona…Babai jonë shkoi me pronarin e restorantit, i cili kishte veshur një bluzë blu për të parë peshkun, pastaj u kthye dhe kamerieri erdhi për të marrë porosinë….dhe pastaj shoqëruesi na shpjegoi se kamerieri i kishte këshilluar të porosisnin më pak peshk…ne ramë dakord ku nga 7 e kthyem porosinë në 5, kamarieri u largua me porosinë duke përfshirë një sallatë me domate, dy djathë të skuqur dhe dy racione patate të skuqura. Pastaj pronari erdhi menjëherë nga kuzhina duke bërtitur guidës në gjuhën shqipe dhe goditi me grushte tavolinën…” – ka deklaruar vajza e biznesmenit spanjoll Eugenio Galdon. Aktualisht Mihal Kokëdhima ndodhet në burgun e Vlorës pasi gjykata e këtij qyteti caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “Shkatërrimit të pronës”, “Dëmtime me dashje” dhe “Kanosje”.
Kokëdhima është ndaluar fillimisht në spitalin e Sarandës, ku po mjekonte dorën e gjakosur. Ndërkohë arrestimi i tij nga policia është kryer në 15 gusht në orën 23:30.
Në dëshmitë e siguruara rezulton se Mihal Kokëdhima, pas konfliktit fizik me djalin e guidës Olgent Saraçi, e ka kapur këtë të fundit për fyti dhe e ka qëlluar me grusht. Të njëjtën gjë Kokëdhima ka bërë edhe me djalin e biznesmenit spanjoll. Sipas dëshmisë së shoferit të furgonit më pas, Kokëdhima ka thërritur djalin dhe kamarierët që të shkonin të merrnin thikat në kuzhinë, dhe papritur, shoferi, djali i guidës dhe turistët spanjollë janë gjendur të rrethuar nga njerëzit me thika. Ata shumë shpejt kanë hipur në furgon dhe kanë filluar të largohen, por personat me thikë dhe vetë Kokëdhima kanë filluar të ndjekin furgonin dhe ta qëllojnë atë me sende të forta. Për këtë ngjarje është pyetur shoferi Erjon Dike, djali i guidës Olgent Saraçi, vajza e biznesmenit spanjoll, Kristina Romero, biznesmeni spanjoll Eugenio Gal Galdon, djali i tij Jaime Romero dhe Mihal Kokëdhima.
Dëshmia e shoferit: Kokëdhima, djali e kamerierët na rrethuan me thika kuzhine në dorë
Nga përmbajtja e materialit hetimor rezulton se më datë 15 gusht 2019 është marrë njoftim nga salla operative, se në Bar-Restorant “Panorma” në “Porto Palermo” ka pasur një konflikt fizik ndërmjet disa turistëve spanjollë dhe pronarit të lokalit, Mihal Kokëdhima. Është shkuar në vendngjarje, ku është konstatuar se Mihal Kokëdhima, pas përplasjes fizike me guidën e turistëve spanjoll që kanë qenë në mjet, ishte shoqëruar në Spitalin Sarandës, ku po merrte mjekim. Në kuadër të zbardhjes se rrethanave të kësaj ngjarje, policia dhe prokuroria e Vlorës kanë administruar kallëzimin e shoferit të furgonit ku udhëtonin turistët spanjollë.
Erjon Dike, para oficerëve dhe prokurorit të Vlorës ka deklaruar se:
“…Ditën e ngjarjes jam caktuar nga kompania ku punoj të transportoja një familje spanjolle, ku unë isha pjesë e këtij shërbimi si shofer ndërsa së bashku me ne ishte dhe një djalë tjetër, që bënte guidën, bisedonte në anglisht me familjen spanjolle. …shkojmë të gjithë për drekë në një restorant peshku të quajtur Panorma… Ulemi për të porositur… Pronari i lokalit na ftoi për të zgjedhur peshkun dhe shkoi guida me kryefamiljarin spanjoll…Pasi erdhën nga kuzhina, zgjodhën peshkun dhe u ulën në tavolinë. Në atë kohë vjen kamarieri për të marrë porosinë tjetër dhe duke porositur i thamë atij se kishim porositur 7 peshq dhe ai na sugjeroi se janë shumë dhe mirë do ishte të merrnit një për dy veta …Ne ramë dakord. Në atë moment, kamarieri shkoi dhe i tha pronarit të lokalit që nga shtatë peshq do t’u çojmë pesë. Në atë moment pronari vjen duke bërtitur dhe duke goditur tavolinën me grusht dhe thotë se unë ju kam vënë peshkun në zgarë…Familja spanjolle u tmerrua nga sjellja e pronarit, kërkoi që të iknim… Duke ngjitur shkallët për në parkim, vjen pronari me vrap dhe kap prej fyti djalin e guidës, dhe e goditi me grusht në fytyrë. Në atë moment futet djali i kryefamiljarit spanjoll për t’i ndarë nga sherri, por pronari goditi dhe djalin spanjoll. Në atë moment, futet edhe kryefamiljari duke u goditur me grusht në fytyrë nga pronari. Unë kapa prej mesi pronarin për të neutralizuar veprimet goditëse, si dhe duke u thënë njerëzve të futeshin në fugon. Në atë moment, pronari u thoshte kamarierëve të merrnin thikat në kuzhinë dhe të vinin tek ne që po konfliktoheshim. Pasi u futën njerëzit në furgon, unë lashë pronarin dhe hyra direkt në fugon, ku brenda kisha gjithë grupin e turistëve. Në atë moment u afruan të gjithë kamarierët bashkë me djalin e pronarit me thika nëpër duar duke na goditur makinën nga jashtë…. Pronari u shtri para makinës… u çua dhe hipi në kofano duke goditur xhamin me mjete të forta dhe duke na kërcënuar me jetë. Unë i flisja që të largohej nga mjeti, por ai nuk largohej dhe qëndronte gjatë ecjes së makinës mbi kofano…Ne nuk ndalonim dot pasi na ndiqte djali i pronarit me makinën e tij nga pas dhe kishim frikë për jetën sepse ata ishin të gjithë me thika…Pas një distance rreth 2-3 km ne ndaluam që pronari të zbriste nga kofano e mjetit. Pasi ne ndaluam, ai zbriti nga mjeti dhe ne vazhduam rrugën për në Sarandë…”.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë është marrë kallëzim dhe deklarim i djaloshit që bënte guidën Olgent Saraçi, i cili po ashtu në kallëzimin e tij ka deklaruar të njëjtat fakte thelbësore sikurse shoferi Erjon Dike, duke theksuar shprehjet e pahijshme dhe kërcënuese sipas tij të thëna prej pronarit të lokalit Mihal Kokëdhima.
Kokëdhima: Donin të iknin pa paguar
Për këtë ngjarje rëndë është pyetur dhe Mihal Kokëdhima i cili para grupit hetimor ka deklaruar se:“…në lokalin tim kanë ardhur tetë persona për të ngrënë drekë, u bashkova dy tavolina dhe i ula, shkova vetë dhe u solla menu dhe u them se ka peshk dhe duhet të shkoni në kuzhinë, erdhën dy persona nga tavolina e tyre dhe porositën 5 koce dhe 3 levrek, dy sallata…në syrin e tyre u përgatit peshku dhe u vendos në zgarë, në këtë kohë kamarierit i them të shkojë të marrë pijet, kaluan dhjetë minuta nga porosia, shikoj tavolinën nuk kishte njeri, lëviza për të parë se ku ishin dhe ata po iknin tek parkimi, u them se ku po ikni se keni dhënë porosinë, paguani porosinë dhe mund të ikni, ndërkohë shoferi më zuri në grykë dhe më mbante të mos lëvizja, gjithë pasagjerët u futën në furgon dhe ai më liroi dhe u fut në fugon në vendin e shoferit. Dola përballë makinës, i bëj foto targës dhe marr policinë në këtë moment dhe i them shoferit sa të vijë policia nuk do ikësh, ai i futi marshin makinës dhe më merr përpara dhe unë vendos duart tek kofano e makinës, më mori zvarrë, unë po rrija tek kofano dhe i thosha të ndalonte, ndërkohë pasagjeri në vend të parë i thoshte të ndalonte dhe ai ndërkohë po filmonte, unë godisja xhamin me grushte që të mbahesha, ai më liroi në Qeparo, aty kam rënë në tokë para një lokali dhe ai iku dhe ka ardhur djali me nusen dhe më kanë çuar në një spital në Himarë, atje më kanë mjekuar dhe më kanë çuar në spitalin Sarandë…”./Shqiptarja.com