Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se dega e Vetëvendosjes në Tiranë për momentin nuk e mendon hyrjen në zgjedhje, por më vonë nuk i dihet kurrë, shtoi ai.
I ftuar në emisionin ‘Pressing’ të gazetarit Berat Buzhala në televizionin T7, Kurti u shpreh se kriza politike në Shqipëri është më e madhe se sa në Kosovë dhe kjo ka sjellë edhe nevojën e një formacioni të ri politik atje.
‘Tani për tani jemi vetëm qendra për Lëvizjen Vetëvendosje, zyra e Tiranës me një autonomi të vetën të ndarë nga Lëvizja Vetëvendosje këtu. Zyra e Vetëvendosjes në Tiranë me kryetar Enis Sulstarovën dhe me drejtor ekzekutiv Bojken Abazin, nuk është regjistruar si parti në KQZ.”
Pyetjes së gazetarit Leonard Kerçuku se a do të marrë pjesë Lëvizja Vetëvendosje dega në Tiranë në zgjedhjet e qershorit në Shqipëri, Kurti iu përgjigj se së shpejti jo, por më vonë nuk mund ta dijë askush.
‘Besoj që në Shqipëri ka pasur lëvizje studentore dhe kanë pasur aksione të organizatave por që s’janë bërë dot lëvizje. Kanë qenë organizata si MJAFT-i, pjesë e të cilës kanë qenë edhe pjesëtarët e tanishëm të Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, por që nuk kanë arritur të bëhen dot lëvizje.
Mund të them që kur bën një aksion politik, nuk i ndodh diçka vetëm tjetrit por edhe ty, ky lloj feedback-u që i ndodh atij që vepron, bën një lëvizje’, tha në emision lideri i Vetëvendosjes.