Spanja prej disa javësh është “gjunjëzuar” nga koronavirusi, i cili është kthyer në një kërcënim serioz për mbarë njerëzimin.
Madridi është shndërruar në një nga vatrat e COVID-19.
Raportohet se thuajse çdo 15 minuta, një makinë mbërrin te dera e krematorit në varrezën “La Almudena” në Madrid.
Në ceremoni lejohen jo më shumë se 5 anëtarë të të ndjerit, të cilët ruajnë të gjithë distancat.
Po ashtu përqafimet dhe puthjet nuk janë më pjesë e ritualit ndërsa bekimet dhe lutjet zgjasin më pak se 5 minuta.
Koha nuk mjafton për fjalime dhe madje as për të thënë lamtumirë. Arkivoli spërkatet me ujë të bekuar dhe merret nga punëtorët me karrocë.
Këto janë disa nga rregullat e forta të vendosura nga Spanja për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi.
“Nuk e mendoni sa të trishtuar janë njerëzit, jo vetëm sepse të dashurit e tyre kanë vdekur, por sepse sistemi është aq i mbipopulluar, sa që disa prej viktimave kanë qëndruar për disa ditë në frigoriferë, para se të sillen këtu”, është shprehur prifti Edduar, shkruan “opinion”.