Kryeministri Edi Rama përmes një video-mesazhi në Facebook, iu bëri thirrje urgjente qytetarëve që të ndryshojnë menjëherë sjellje dhe të respektojnë masat ndaj koronavirusit.
Kreu i Qeverisë i mëshoi faktit se rritja e numrit të të infektuarve në vend mund të mundësojë rikthimin e karantinës.
“Numrat e të infektuarve e shihni që po rriten dhe po ashtu po rriten edhe shtrimet në spital.
Çka është më shqetësuese është se trendi në rritje po vazhdoi kështu, jo vetëm që mund të na sjellë dëme të rënda në jetë njerëzish dhe në shëndetin e shumëkujt, por edhe largqoftë do të na detyrojë të rikthehemi mbrapsht tek i vetmi ilaç i sigurt deri në daljen e vaksinës.
Karantina.
Tani si do ia bëjmë?
Do bëhemi njerëz kur i thonë llafit dhe të respektojmë ato rregulla të thjeshta sado të bezdisshme apo do e bëjmë si lopa kur thotë populli, që i bie me shkelm kovës së qumështit pasi e mbush.
Nuk dua të bëhem fare i bezdisshëm, por jam shumë i shqetësuar dhe dua që ta dini se nuk kam ndërmend të bëj sehir.
Armiku i padukshëm nuk ka ikur! Sa për dijeni, prej 3 ditësh, kemi më shumë shtrime në spital se sa në kulmin e agresionit të tij, kur ishim mbyllur nëpër shtëpi.
Nuk dua ta bëjmë me të keq gjënë e duhur në këtë situatë, nuk dua të lëshojmë ofensivën ndëshkimore për bizneset që nuk respektojnë protokollet.
Në fund të fundit, ekonomia bie dhe ringrihet prapë, të vdekurit nuk ringjallen.
Nëse vazhdojmë kështu dhe nuk ndryshojmë sjellje të gjithë, urgjent, që sot, menjëherë dhe nëse numrat e të shtruarve vazhdojnë të rriten, dhe rritet largqoftë edhe numri i atyre që kanë nevojë për atë tubin e frymëmarrjes, atëherë me keqardhje, por realisht nuk do kemi çfarë të bëjmë dhe do të duhet të rifillojmë nga e para.
Ju lutem, t’i thërrasim mendjes dhe të bëjmë gjënë e duhur për familjen tonë, për njëri-tjetrin.
E kemi vetë në dorë, secili prej nesh e ka në dorë të bëjë gjënë e duhur”, u shpreh Rama.