Bota

Charles “Lucky” Luciano, kush ishte kumbari i vërtetë i mafies italo-amerikane

               Publikuar në : 15:59 - 11/07/19 S.N

Shumë njerëz e njohin mafien italo-amerikane, nga filma të pavdekshëm si “The Goodfather”, apo “Goodfellas”. Por ajo që ndoshta nuk dini, është se mafia nuk do ta kishte arritur kurrë ndikimin që ka pasur dhe ka, po të mos ishte për një njeri: Charles “Lucky” Luciano.

I konsideruar si “babai” i krimit të organizuar në Shtetet e Bashkuara, Luciano u bë udhëheqësi i parë i një familjes mafioze të mirë-strukturuar. Ai ishte një ndër themeluesit e trupës udhëheqëse të mafies amerikane të quajtur, Komisioni. Që vazhdon të ushtrojë edhe sot pushtet në botën e krimit.

Po si e arriti një emigrant italian gjithë këtë? Lucky Luciano, lindi në komunën e Lerkara Fridi në ishullin italian të Siçilisë në vitin 1897. Emri i tij i vërtetë ishte Salvatore Lucania. Kur ishte 10-vjeç, Lucky dhe familja e tij emigruan nga Siçilia për në Shtetet e Bashkuara. Në atë kohë u vendosën në Nju Jork, në një lagje të mbipopulluar.

Luciano u përfshi që në moshë të re në botën e krimit. Ai u angazhua në grabitjet me dhunë që kur ishte 14-vjeç, kohë kur edhe nisi të mbajë armë zjarri me vete. Luciano nisi të bjerë në sy në radhët e bandës së rrezikshme “Five Points”, ku edhe nisi të merret me trafikun e heroinës.

Në biografinë e shkruar mbi të nga Tim Newark, Luciano do të kujtonte me vonë: Nisa të përdorja disi drogën që kur isha fëmijës. Më pëlqente, pasi më jepte një ndjenjë kënaqësie. Por nuk e lashë veten të ndërvarem prej saj!”.

Edhe në atë moshë të re, Luciano pra kishte mendësinë e një sipërmarrësi. I vendosur të bëhej dikushi në botën e krimit, ai vendosi të amerikanizonte emrin e vet. Për të shmangur konotacionin femëror që kishte emri “Sally”, si përshtatje e emrit të tij “Salvatore”, ai zgjodhi emrin “Charles”. Ndërsa mbiemrin Lucania e shndërroi në Luciano, pra lindi Charles Luciano. Por pa ndihmën e të tjerëve, ai nuk do të kishte qenë gjendje të luante një rol aq të rëndësishëm në historinë e krimit të organizuar.

Dhe një ndihmë e madhe, i erdhi nga Maier Suchowljansky, më vonë i njohur si Meyer Lansky, një mafioz i rrezikshëm me origjinë hebreje. Luciano u njoh me Lansky qëkur të dy ishin adoleshentë në Nju Jork. Asokohe, fëmijët e lindur në Itali, hezitonin të punonin me hebrenjtë. Por Luciano pa tek ai njeri një shans:në vend se ta shmangte, ai përfitoi shumë nga i riu hebre.

Kështu që të dy nisën një bashkëpunim, të cilin e vazhduan gjatë gjithë jetës.

Luciano njohu edhe bashkëpunëtorin e ngushtë të Lansky, mafiozin Benjamin “Bugsy” Siegel. Që të 3 nisën te merren me vendosjen e gjobave ndaj biznesmenëve, ndërsa në vitet 1920 filluan të merren edhe me prodhimin e fshehtë të alkoolit. Pavarësisht partneritetit të tij të suksesshëm me mafiozët e tjerë në rritje, jo të gjithë iu bashkuan Lucianos.

Për shembull, më 17 tetor 1929, rivalët e rrëmbyen Lucianon, e rrahën, i prenë fytin dhe e goditën disa herë më thikë në trup. Ata menduan se kishte vdekur, dhe e braktisën në Staten Island në Nju Jork. Luciano mbijetoi për mrekulli, pavarësisht shenjave të shumta në fytyrë dhe një syri të dëmtuar.

Mendohet se nofkën “Lucky” (Fatlumi), e mori pikërisht nga mbijetesa pas asaj ngjarjeje të tmerrshme. Deri në atë kohë, Lucky Luciano kishte një pozicion drejtues në bandën e drejtuar nga bosi i bosëve Joe Masseria. Kur në fillim të viteve 1930, banda e  Masserias u përfshi në një luftë vdekjeprurëse mbi kontrollin e aktiviteteve kriminale në Nju Jork, përballë bosit të sapoardhur në SHBA Salvatore Maranzano, Luciano u angazhua të kryente punët e pista të bosit të tij.

Por Luciano dhe shokët e tij, nisën të kishin pakënaqësi më gangsterët italianë të shkollës së vjetër. Masseria me të vetët nuk flisnin shumë anglisht, dhe drejtonin ndërmarrje të kufizuara kriminale. Prandaj, Luciano vendosi të tradhtonte Masserian, për të marrë kontrollin e bandës së tij.

Ai e futi bosin e tij në një kurth, teksa bashkëpunëtorët e tij e ekzekutuan brenda një restoranti. Pak muaj më pas ata ekzekutuan edhe rivalin e Masserias, Maranzanon. Nga ai moment, Luciano ishte bosi i padiskutueshëm i Nju Jorkut. Por Luciano u lodh nga lufta mes grupeve mafioze. I ndikuar nga bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Lanksy, ai besonte se mafia mund të funksiononte si një biznes efikas dhe i organizuar, në vend se të ishte thjesht një bandë brutale.

Ndaj Luciano, ishte i pari që “organizoi” realisht krimin e organizuar. Ai organizoi një takim të madh të bosëve italianë në Çikago, ku do të revoluciononte strukturën e mafies, dhe do të krijonte mafien moderne amerikane. Në atë mbledhje merrte pjesë edhe Al Capone, bosi i madh mafioz i Çikagos.

Për të shmangur përplasjet në të ardhmen, Luciano i ndau grupimet kriminale rajonale në 5 “familje”. Secila familje do të kontrollonte terretorin e saj, dhe do të kishte një strukturë të ngjashme me atë të një biznesi normal, si dhe do të ndiqte një grupim rregullash të ngjashme. Përveç kësaj, secili anëtar i mafies duhej të heshte në lidhje me aktivitetet e tyre. Ky kod nderi u quajt Omerta.

Ndërkohë, një organ qeverisës që do të quhej “Komisioni”, do të garantonte paqen mes të gjitha familjeve, dhe do të sheshonte të gjitha mosmarrëveshjet. Por pavarësisht nga suksesi i Lucianos, në horizont nderej një kërcënim i madh:qeveria amerikane. Ashtu si Al Capone dhe shumë figura të tjera të njohura të mafies, autoritetet ligjzbatuese e kishin mbajtur prej kohësh nën vëzhgim. Luciano bënte një jetë shumë lukzoze, në praninë e vazhdueshme të shumë grave.

Ai kishte miqësi me këngëtarin e njohur italo-amerikan Frank Sinatra. Në vitin 1935, prokurori special Thomas Dewey e arrestoi me akuzën e drejtimit të një rrjeti prostitucioni. Dhjetëra dëshmitarë e fundosën Lucianon, dhe gjykata e shpalli fajtor për 62 akuza, duke e dënuar me 30 vjet burg. Pavarësisht se u mbyll në një burg të sigurisë së lartë, Luciano vazhdoi të drejtonte sipërmarrjet e tij mafioze.

Ai ishte i vendosur të dilte një ditë nga burgu, dhe fillimi i Luftës së Dytë Botërore i dha një shans të artë. SHBA-ja druhej se fuqitë e huaja do të përpiqeshin të sabotonin portet e saj detare në Bregut Lindor, dhe se punonjësit me origjinë italiane, do të ndihmonin fshehurazi udhëheqësin fashist italian Benito Mussolini.

Në këto kushte, ata iu drejtuan për ndihmë Lucianos. Marina i ofroi atij një reduktim të dënimit të tij, në këmbim të informacioneve dhe ndihmës në operacionin e koduar “Underworld”. Por ndihma e tij ndaj qeverisë amerikane, nuk u mjaftua me atë operacion.

Luciano besohet se e ka ndihmuar ushtrinë amerikane të pushtojë vendlindjen e tij Siçilinë në kuadër të operacionit ”Husky”. Në vitin 1946, po Thomas Dewey, njeriu që e plasi Lucianon prapa hekurave, e nxorri nga burgu për “shërbimet e tij gjatë luftës”.

Por duke pasur parasysh ndikimin e tij kriminal, qeveria amerikane nuk ishte e gatshme ta linte të lirë në Shtetet e Bashkuara. Prandaj, Luciano u dëbua në Itali. Jo shumë kohë më vonë, ai tentoi të zhvendosej me banim në Havana të Kubës, por qeveria atje e rikthehu në Itali.

Me Lucianon e larguar, ish-vartësit e tij Vito Genovese dhe Carlo Gambino, u ngjitën në krye të mafias italo-amerikane, duke eleminuar shumë nga ish bashkëpunëtorët e Luçianos. Në mesin e shumë grave që frekuentonte, Luciano u martua në vitin 1948 me një balerinë 20 vjet më e re se vetja, Igea Lissoni.

Ata bashkëjetuan në shtëpinë e tij në Napoli, deri në vdekjen e saj nga kanceri i gjirit në vitin 1952, dhe nuk patën asnjë fëmijë. “Nuk dua që djali im të jetojë si djali i Lucianos, gangsterit. Për këtë arsye e urrej ende Dewey, që më bëri gangster në sytë e botës!”- thuhet të jetë shprehur Luciano.

Pavarësisht nga dëbimi i tij, Luciano vazhdoi të drejtonte aktivitetet e tij kriminale në Sicili për 15 vite të tjera, para se të vdiste nga një atak kardiak më 26 janar 1962. Vdekja e tij, ndodhi pak para se autoritetet italiane ta arrestonin me akuzën e trafikut të drogës. Trupi i Lucianos u çua në Shtetet e Bashkuara, ku dhe u varros. Në funeralin e tij, morën pjesë mijëra njerëz./ TIRANA TODAY

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT