Deri më 26 shkurt, autoritetet italiane nuk kishin identifikuar “pacientin zero”, ose personin që shkaktoi epideminë e koronavirusit në Itali. Skenari i parë dhe i dukshëm, hipotetizoi se ai mund të ishte miku menaxher i pacentit nr.1, që ishte kthyer nga Kina disa javë më parë.
Kjo rezultoi e gabuar, pasi deri më tani nuk është identifikuar asnjë lidhje e drejtpërdrejtë midis dy shpërthimeve të para të identifikuara, asaj në Lombardi dhe Veneto. Aq sa po besohet se ato janë të pavarura nga njëra-tjetra:me pak fjalë, ka më shumë se sa një “pacient zero”.
Kjo është një shenjë se ndoshta virusi ka qarkulluar në Itali për një kohë më të gjatë se sa u besua në fillim, dhe se rastet e diagnostifikuara deri tani, mund të jenë tashmë brezi i dytë ose i tretë i të infektuarve.
Covid-19: Rëndësia e emërtimit të sëmundjeve
“Problemi i gjetjes së “pacientit zero”, në një sëmundje të transmetimit të problemeve të frymëmarrjes, që manifestohet në shumë raste me simptoma të buta, është tejet i vështirë”, thotë Pierluixhi Lopalko, profesor i higjienës dhe mjekësisë parandaluese në Universitetin e Pizës.
Sipas tij, gjatë hetimit epidemiologjik është e vështirë të gjurmohen të gjitha kontaktet e mundshme të dyshimta, që kanë qenë origjina e infeksionit. Imagjinoni pak se mund të infektoheni kur pini kafe në një bar, dhe që “fajtori” ishte personi që u kollit, teksa ishte mbështetur në banakun pranë jush:askush nuk do ta zbulojë ndonjëherë!”.
Si lindi termi “pacienti zero”
Vetë përkufizimi i “pacientit zero”, është në fakt rezultat i një keqkuptimi. Në terminologjinë e epidemiologëve, personi që e fillon zinxhirin e infektimeve quhet rasti i indeksit. Edhe pse koncepti i “pacientit zero” ishte i njohur, përkufizimi duket se ka origjinën në fillim të viteve 1980, në prag të përhapjes masive të virusit HIV-AIDS.
Kur sindromi në SHBA u lidh kryesisht me homoseksualët, investigimet e e para epidemiologjike, çuan në një person të vetëm, mjekun franko-kanadez Gaëtan Dugas.
Një punonjës shkencor e ngatërroi germën “O” (me të cilën pacienti tregohej në procesverbalin mjekësor, dhe do të thoshte Jashtë Kalifornisë, pra jo banor i Kalifornisë) me numrin zero, dhe prej andej lindi termi “pacienti zero”.
Meqë ra fjala, Gawtan Dugas, që vdiq në vitin 1984, nuk ishte as iniciatori i infektimeve me HIV në Shtetet e Bashkuara. Siç e tregoi një studim i publikuar në revistën “Nature” në vitin 2016, gati 35 vjet pas ngjarjeve, HIV ka nisur në fakt të qarkullojë në SHBA të paktën që nga vitet 1970, duke mbërritur nga Afrika përmes Karaibeve.
Pista të gabuara
Në rastin e epidemisë së koronavirusit në Itali, në ditët e para të gjitha pjesët e ngjarjes, dukej se përputheshin në një mënyrë të përsosur:menaxheri italian u rikthye nga Kina, pati kontakte të përsëritura me një 38-vjeçar, fakti që edhe një kunat i të parit kishte rezultuar pozitiv…
Por analizat e mëvonshme, treguan se rindërtimi i ngjarjeve ishte i pasaktë. Edhe hipoteza e një lidhjeje midis shpërthimeve të koronavirusit në Lombardi dhe Veneto – një fermer 60-vjeçar që kishte qenë në një bar në Veneto, dhe kishte shkuar më pas në Kodonjo, ku u shtrua në spital me simptoma të dyshimta – krijoi iluzionin se ishte gjetur më në fund lidhja. Por analizat treguan më pas, se edhe ajo pistë nuk ishte e duhura.
Nga Gripi Spanjoll, deri në ditët e sotme
Edhe origjina e Gripit Spanjollit, që shpërtheu rreth vitit 1918 – falë kushteve të vështira të shkaktuara nga lufta dhe mungesës së antibiotikëve – që vrau miliona njerëz, nuk është konstatuar me siguri. Hipoteza më e cituar, sugjeron që rasti i indeksit ishte kuzhinieri i një kampi stërvitor ushtarak në Kansas të SHBA-së, dhe prej andej sëmundja të ishte përhapur midis ushtarëve në të fushat e betejës në Evropë.
Por besohet ndërkohë se ka pasur edhe shpërthime epidemike të veçanta, për shembull në Azinë Lindore dhe Austri. Asnjëra nga hipotezat nuk konfirmohet me siguri, dhe madje në këtë rast nuk është e mundur të identifikohet një “pacient zero”. Kur sëmundja shkakton simptoma të rënda, dhe periudha e inkubacionit është më e shkurtër, është zakonisht më e lehtë të gjurmohet origjina e epidemisë.
Për shembull, në rastin e epidemisë së Ebolës në vitin 2013, dyshohet se rasti i parë ishte një djalë 2-vjeçar, që jetonte në një fshat të Guinesë, dhe që mund të jetë infektuar nga një lakuriq nate. Foshnja vdiq disa ditë pasi shfaqi simptomat, dhe të njëjtin fat tragjik pati brenda muajit e ëma, motra e vogël dhe gjyshja.
Fjalët që përdoren, kanë shumë rëndësi
Në rastin e koronavirusit të ri në Itali, ka gjasa që “pacienti zero” të mos identifikohet kurrë. Por tani, ai nuk është më i rëndësishëm për kontrollimin e epidemisë. Sidoqoftë, kur flasim për sëmundjet dhe përhapjet e tyre, fjalët e përdorura janë shumë të rëndësishme.
Terma të tillë si “rast i dyshuar”, “izolim” dhe “pacienti zero”, mund të forcojnë lidhjet e gabuara, dhe të kontribuojnë në rritjen e panikut, si dhe në izolimin dhe kriminalizimin e atyre që e kanë përhapur (ose që dyshohet) sëmundjen. Një udhëzuesi i OBSH dhe Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, sugjeron të flasim më shumë për njerëzit sesa për “raste” dhe “viktima”.
Për epidemiologjinë, është e rëndësishme të kuptohet se ku dhe si u shfaq dhe u përhap një epidemi. Por edhe kur identifikohet “pacienti zero”, është e rëndësishme të mbahet mend se ai person nuk ka faj për fillimin e një epidemie:ai thjesht ka qëlluar të jetë në vendin e gabuar, në kohën e gabuar. Siç mund t’i ndodhë çdo njërit prej nesh. /TIRANA TODAY