Prej vitit 2012, importet e veshjeve të përdorura janë rritur çdo herë e më shumë. Sipas INSTAT, në 2017 importi i veshjeve të përdorura arriti në 24 milion euro. Pas mbylljes së tregjeve masive, tregtarët i shesin këto veshje në dyqane. Aq sa në çdo lagje gjen rroba të “Gabit”. Por, ka edhe nga ata tregtarë të cilët vazhdojnë të shesin në rrugë, pa paguar asgjë përkundrejt shtetit.
“Unë nuk kam kasë, pasi nuk kam dyqan. Edhe kur tatimorët kanë ardhur, nuk ma kanë marrë ndonjëherë mallin, sepse i zbatoj rregullat e atyre, për shembull.,kur më thonë të mos rri në rrugë. Unë e lëviz mallin. Ata që kanë dyqane kanë halle, sepse jo taksa, qiraja, siguracionet e të gjitha. Kurse unë, çfarë të jetë, e kam fitim,”-thotë për Tirana Today një shitëse ambulante.
Por, edhe ata shitës të cilët kanë kasë fiskale, nuk i presin faturat tatimore, kjo pasi fitimi në ditë është shumë i ulët. Ndonjëherë, dita mbyllet veç me humbje.
“Ne paguajmë taksat, ujin, dritat, kemi një mal me fatura për të shlyer. Faturat tatimore nuk janë duke i prerë ata të mëdhenjtë, do t’i presim ne që kemi rroba të përdorura. Çfarë fature të pres unë, 3 mijë lekë në dy ditë. Pasi kanë kaluar edhe tre ditë, që zëre se nuk kam punuar hiç, pasi nuk kam fituar gjë. Edhe kur vijnë tatimorët për kontrollin e kuponëve, ne e ulim qepenin.”
Për një tjetër shitës, vendosja e kasave fiskale për rrobat e përdorura është një gjë e padobishme, madje i penalizon tregtarët.
“Unë zëre se marr 500 kile mall, si do më kontrollojë mua shteti, e dinë ata se sa copë më vijnë?! Ku ka ekonomist që mi nxjerr mua këto të dhëna. Një këmishë e shes me 5 mijë lekë , e një tjetër me 1 mijë lekë. Çmimin e vendos si të dua unë, pasi nuk ka një rregullator që të më kontrollojë. Edhe mund të fitosh, por edhe mund të humbësh, ato rroba që nuk shiten, i hedhim në lum. Kasa në rrobat e përdorura ka qenë gjëja që ja kanë futur më kot.”
Për shumë shitës, dalja në rrugë është mundësia e vetme që të fitojnë bukën e gojës. Por, pamundësia për të qenë brenda rregullave që kërkohen nga shteti, i detyron të mos dalin më për të shitur.
“Unë rrobat i marr në magazina dhe po të më pyesësh për xhiron time ditore nuk del fare këtu. Pasi ka pasur raste që nuk kam marr fitim edhe për një javë rresht. Unë nuk kam mundësi as të nxjerr bukën e gojës, aq më pak të marr kasë apo regjistroj biznesin. Ndaj do likuidoj mallin dhe nuk do shes më.”
Destinacioni kryesor nga vijnë veshjet e përdorura është Italia, me 45% të totalit. Më pas renditet Kina, Turqia dhe më pak nga Gjermania, Greqia, Anglia, Franca, Serbia. Por, përse shqiptarët blejnë veshje të përdorura, për pamundësi ekonomike apo është një trend?
“Rritje të njerëzve që kërkojnë rroba të përdorura ka në fakt. Përveç çmimeve shumë të ulëta, ata joshen edhe nga cilësia e mallit, pasi është shumë e mirë. Nuk janë vetëm njerëzit e thjeshtë që vijnë të blejnë, por ka edhe punonjëse zyre apo ata që kanë mundësi ekonomike.
Por, për pjesën më të madhe të popullatës, arsyeja përse blejnë të ‘Gabi’ është pamundësia ekonomike,”-shprehen tregtarët. TIRANA TODAY