Pasditen e djeshme, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka mbajtur një takim me krerët e degëve në të gjithë vendin, ku fokusi ka qenë reforma territoriale dhe ajo zgjedhore. Basha kërkoi që ata të nisin me propozimet për këto dy çështje, ndërsa i informoi se Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, do të dalë në bazë për të diskutuar me strukturat.
Sakaq, kryedemokrati Basha është shprehur se PD-ja nuk është në krizë, dhe vendimi ishte personal i tij. Po ashtu ai ua bëri të qartë se nuk do të lejojë që të mblidhet një Kuvend, i cili do të ketë në fokus vendimet e SHBA-së.
“Nuk e bunkerizoj Partinë Demokratike për interesat e një personi. Në PD nuk do të ketë institucione paralele. Armiku jonë i vetëm është Edi Rama”, ka thënë Basha.
Më tej mësohet se ai u ka kërkuar krerëve të degëve që të informojnë bazën, se si qëndron e vërteta e Vettingut në politikë. Ai shtoi më tej se Vettingu në politikë do pastrojë llumin.
“Ne do i qëndrojmë deri në fund këtij zotimi, dhe kush ka lidhje me krimin, ka bërë korrupsion dhe ka pastruar para nuk do jetë më pjesë e sistemit. Mos harroni që Vettingu në politikë do pastrojë llumin, dhe zbulojë shumë pasuri të këtyre që bëjnë si shenjtorë. Po ju ngushtohet laku dhe e dinë fundin, prandaj janë hedhur në sulm ndaj meje”, ka thënë Basha.
“Berisha e di mirë që iku nga amerikanët dhe askush nga SHBA-ja nuk ju ka bërë presion demokratëve dhe Bashës. Berisha është gënjeshtar dhe i tmerruar. Unë nuk do lejoj mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së. Nuk ju ndaloj të shkoni në foltore, por ajo është ngjizur për interesa të ngushta personale të Berishës dhe atyre që e sponsorizojnë. PD dhe unë mbështetemi nga SHBA-ja. Mos bini pre e shantazheve që ju bën Berisha”, ka deklaruar kreu demokrat.